Manchester City arriti të fitojë titullin e katërt radhazi në Premier League, duke finalizuar një sezon tepër të luftuar, pasi deri në ndeshjen e fundit, Arsenali ishte ende në garë për të rrëmbyer trofeun.
“Frerët” e festës për suksesin e ekipit të Pep Guardiolës i kanë marrë në dorë dy protagonistë të padiskutueshëm. Jack Grealish në klubin e natës ku futbollistët dhe stafi teknik u argëtuan pasi ngritën trofeun dhe djali 5-vjeçar i yllit lokal, Phil Foden.
Ronnie Foden është një fenomen i padiskutueshëm jashtë fushës dhe në dhomat e zhveshjes, teksa videot e tij me shokët e ekipit të babait dhe për festimet e golave të City-t janë bërë virale.
Këtë herë, i vogli i familjes Foden ka dhuruar spektakël, pasi kamerat e kanë kapur duke tentuar të hapë një shishe shampanje për të festuar për titullin e fituar.
Ndërkohë që skuadra përqafohej dhe përshëndeste tifozët në stadium, Ronnie i veshur me fanellën e City-t, ishte në fushë duke u përpjekur me më të mirën e mundshme për të hequr tapën, madje duke e goditur dhe shishen në tokë, në stilin e pilotit të Formula 1, Lando Norris.
E teksa Ronnie nuk mund të hapte shampanjën, duket se panorama ka qenë komplet ndryshe në festën e organizuar në klubin e natës Fenic, në Mançester.
Jack Grealish edhe njëherë u bë protagonist, teksa postoi një video të tij duke kënduar këngën e Natasha Bedingfield, Unwritten, ndërsa festa në restorantin grek vazhdoi deri në orën 5 të mëngjesit.
Paparacët e kanë kapur Grealish në gjendje të dehur, por edhe yje si Rodri, Haland e Kevin De Bruyne duket se e kanë shijuar në maksimum festën nën avujt e alkoolit. (A2 Televizion)