Dinamo fiton Superkupën e Shqipërisë

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2025, 21:05 | Futboll

Dinamo fiton Superkupën e Shqipërisë

​Dinamo është fituesja e Superkupës së Shqipërisë, pasi triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Egnatias në finalen e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”. Ndeshja nisi më mirë për rrogozhinasit, të cilët kaluan shpejt në avantazh. Në minutën e 9-të, Flamur Ruçi përfitoi nga një moskoordinim i mbrojtjes së Dinamos dhe dërgoi topin në rrjetë, duke mposhtur portierin Aldo Teja.

Reagimi i “Bluve” ishte i menjëhershëm. Dinamo u afrua disa herë te goli i barazimit, ndërsa në minutën e 11-të goditja e Karamba Gassama u ndal nga shtylla. Dinamovitët kërkuan edhe një penallti në minutën e 15-të për prekje të topit me dorë, por arbitri Enea Jorgji vendosi të vazhdojë lojën. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal 1-0 për Egnatian.

Në fraksionin e dytë, Dinamo ndryshoi krejtësisht ritmin e lojës. Brenda pak minutash, “Blutë” përmbysën rezultatin. Fillimisht, Dejvi Bregu barazoi shifrat pas një gabimi në prapavijën e Egnatias. Në minutën e 59-të, Nani shënoi golin e përmbysjes, duke përfituar nga një top i kthyer në zonë. Pavarësisht përpjekjeve të Egnatias, Dinamo administroi lojën dhe në minutën e fundit shtesë, Klevi Qefalija vulosi fitoren 3-1. Ky sukses i jep Dinamos trofeun e Superkupës dhe një nisje perfekte të sezonit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos