76.2 miliardë lekë për Mbrojtjen në 2027, Ministri Nufi: Buxheti rritet me 10%

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2026, 13:15 | Politikë

76.2 miliardë lekë për Mbrojtjen në 2027, Ministri Nufi:

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, prezantoi në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin për vitin 2027. Në fjalën e tij Nufi tha se buxheti është në vlerën 76.2 miliardë lekë, me një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2026 dhe përfaqëson 2.6% të PBB-së.

Sipas tij rreth 23.1 miliardë lekë do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura, përfshirë blerjen e dronëve, armatimit, avionëve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore. Ndërsa 5.9 miliardë lekë janë parashikuar për infrastrukturën ushtarake, përfshirë portin e ri në Porto Romano, Bazën e Pashalimanit dhe rikonstruksionin e Spitalit Ushtarak. Në këtë paketë përfshihen edhe investime për emergjencat civile dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

Gjithashtu, do të vijojë modernizimi i mjeteve të transportit dhe sistemeve të komunikimit e informacionit në bazën e NATO-s në Kuçovë.

Sipas ministrit Nufi, financimi për Mbrojtjen pritet të vijojë të rritet edhe gjatë tre viteve të ardhshme, me rreth 1 miliard lekë në vit. Buxheti synon forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos