Interi përmbys Monzën dhe vazhdon kryesimin në Serie A

Nga A2 CNN
8 Mars 2025, 22:49 | Futboll

Interi përmbys Monzën dhe vazhdon kryesimin në Serie A

Interi tregoi forcën dhe arsyen pse është pretendent për titullin në Seria A, teksa përmbysi Monzën me një fitore 3-2 në “San Siro”, duke zgjeruar serinë e ndeshjeve pa humbje në kampionat në 11 (8 fitore, 3 barazime) dhe duke thelluar diferencën në krye me katër pikë nga Napoli.

Lautaro Martínez mendoi se kishte kaluar zikaltërit në avantazh në minutën e 24-të, por goli iu anulua për prekje me dorë pas rishikimit të VAR-it. Monza e shfrytëzoi këtë mundësi dhe kaloi në avantazh me Samuele Birindellin, i cili mposhti portierin Josep Martínez pas një pasimi fantastik nga Dany Mota.

Keita Baldé dyfishoi epërsinë për miqtë me një supergol, duke goditur saktë nga distanca.

Megjithatë, Inter reagoi shpejt dhe ngushtoi diferencën me Marko Arnautović, i cili shënoi me kokë pas një asisti nga Denzel Dumfries.

Në pjesën e dytë, Hakan Çalhanoğlu barazoi shifrat me një goditje të ulët nga distanca. Presioni i Interit u shpërblye me golin e fitores, kur Carlos Augusto dërgoi një kros në zonë dhe Giorgos Kyriakopoulos e devijoi topin drejt portës. Turati tentoi ta ndalonte, por teknologjia e vijës së portës konfirmoi që topi e kishte kaluar vijën.

Inter vazhdon rrugën drejt titullit, ndërsa Monza mbetet në vendin e fundit, tashmë 10 pikë larg shpëtimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos