Bayer Leverkusen humbi një mundësi të artë për të ngushtuar diferencën në garën për titull me Bayern Munich, pasi u mposht 2-0 nga Werder Bremen në BayArena.
Kjo ishte humbja e dytë radhazi për ekipin e Xabi Alonsos, diçka që nuk kishte ndodhur që nga maji 2023.
Leverkusen, që sezonin e kaluar kishte fituar 5-0 në këtë përballje për të siguruar titullin, e nisi keq ndeshjen, duke pësuar gol që në minutën e shtatë. Romano Schmid shënoi pas një aksioni të bukur të Bremenit, ndërsa vendasit nuk patën asnjë goditje në portë në 20 minutat e para.
Pavarësisht zëvendësimeve në pjesën e dytë, Leverkusen nuk arriti të reagojë. Florian Wirtz u fut nga stoli, por u detyrua të largohej i dëmtuar. Në fund, Justin Njinmah vulosi humbjen me një gol në kohën shtesë, duke lënë Leverkusenin 8 pikë pas Bayernit, me të cilin do ta përballet në mesjavë për ndeshjen e kthimit në Champions League. (A2 Televizion)