Milani i shpëtoi një disfate të katërt radhazi në Serie A, duke përmbysur një disavantazh prej dy golash për të fituar 3-2 ndaj Leçe-s në Stadio Via del Mare.
Skuadra e Conceicao mendoi se kishte kaluar në avantazh që në minutën e parë me Santiago Giménez, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Vetëm pesë minuta më vonë, Nikola Krstović i dha epërsinë Leçe-s me një goditje nga jashtë zone.
Pasi Milanit iu anulua një tjetër gol, Krstović ishte pranë dopietës, por goditi shtyllën. Në fund të pjesës së parë, portieri Falcone bëri disa pritje vendimtare për të mbajtur vendasit në avantazh.
Në pjesën e dytë, Giménez goditi shtyllën për herë të dytë, ndërsa Musah shpërdoroi një rast të pastër. Leçe përfitoi dhe Krstović shënoi golin e dytë personal me një tjetër goditje të bukur.
Megjithatë, Milan gjeti fatin me një autogol të Gallo-s, ndërsa më pas fitoi një penallti që u shndërrua në gol nga Christian Pulisic. Amerikanit i mjaftuan vetëm pak minuta për të kompletuar përmbysjen me një goditje të fuqishme pas një krosimi të Rafael Leão-s.
Kjo fitore e rëndësishme e afron Milanin me zonën europiane, ndërsa Leçe mbetet pranë rrezikut të rënies nga kategoria. (A2 Televizion)