Shqipëri-Serbi, 2500 policë blindojnë Tiranën! Bllokim i plotë nga Blloku, bulevardi te rruga e Elbasanit

Nga Xhensila Kodra
5 Qershor 2025, 15:30 | Futboll

Mbi 2500 efektivë policie do të jenë në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes që do të zhvillohet të shtunën e 7 qershorit mes Shqipëri dhe Serbisë, në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Hartimi i një plani të detajuar masash nga Policia e Shtetit, nis me eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Serbisë që nga mbërritja e tyre në aeroportin e Rinasit, e deri në kthim.

Kontrollet janë fokusuar edhe tek personat që tentojnë të fusin sende të jashtëligjshme në stadium, si lëndë piroteknike, apo edhe banderolat me përmbajtje raciste, fishekzjarrë e flakadanë.

Më 7 qershor, nga ora 15:00 e deri në përfundim të ndeshjes do të ketë kufizime në qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit. Policia do të bllokojë të paktën 10 rrugë, duke nisur nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rrugicat qe lidhin stadiumin me Rrugen e Elbasanit, pranë Ambasadës së SHBA-së, si dhe disa rrugë pranë “Librit Universitar” në zonën e ish-Bllokut, si dhe ish-Gardës së Republikës.

Për personat që kryejnë paligjshmëri, si veprime të dhunshme, apo edhe hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të ndeshjes, dënohet me gjobë nga 50 deri në 100 mijë lekë, e deri në dënim me burg nëse aktet e dhunës janë edhe më të rënda.

Policia i bën apel tifozëve që të mos bien pre e mashtrimit me çmimin e biletave, si dhe të mos i publikojnë ato në rrjetet sociale, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos