“Kosova është zemra e Shqipërisë”, Tifozat Kuqezi ndezin Tiranën

Nga A2 CNN
7 Qershor 2025, 15:16 | Futboll

Me këngë patriotike në sfond, brohorima dhe thirrjet “Kosova është zemra e Shqipërisë”, ka nisur në Tiranë festa e tifozëve të Kombëtares Shqiptare, kur na ndajnë edhe 5 orë nga sfida përballë Serbisë, në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Të ardhur nga Kosova, Maqedonia dhe gjithë trojet shqiptare, qindra tifozë të Shqipërisë janë mbledhur përballë Piramidës në kryeqytet, aty ku zakonisht stacionohen para çdo sfide anëtarët e tifogrupit më të madh të Kombëtares, Tifozat Kuqezi.

Edhe pse gjatë kësaj jave kanë kritikuar FSHF-në për skemën e shpërndarjes së biletave dhe janë shprehur se nuk do të jenë prezent në stadium, disa prej tifozëve konfirmuan për mikrofonin e A2 CNN se ka siguruar disa bileta.

“E kemi siguruar biletën. Do marrim pjesë. E kam siguruar nga shorti. 2-0 për ne. Shënon Asllani dhe Asani”, tha për A2 CNN, një tifoz nga Prishtina.

“Kemi siguruar bileta. O nuk është problem leku. Shqipëria rroftë, të eci përpara. Ta mundim Serbinë. Shorti është i mirë. Rroftë Shqipëria, rroftë Kosova le ta mundim Serbinë”, u shpreh një tjetër tifoz i ardhur nga Kosova.

Atmosfera elektrizuese është shoqëruar edhe nga koret fyese kundër Serbisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos