Ndeshja Shqipëri-Serbi, pika kufitare në Morinë shndërrohet në vend feste

Nga A2 CNN
6 Qershor 2025, 20:09 | Futboll

Ndeshja Shqipëri-Serbi, pika kufitare në Morinë shndërrohet

Një ditë para ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, pika kufitare në Morinë është shndërruar në një vend festimi.

Tifozët kuq e zi nga Kosova, së bashku me djemtë e Luginës së Preshevës, janë organizuar për të përkrahur kombëtaren shqiptare, përmes këngëve patriotike, thirrjeve "Shqipëri etnike" dhe "Fitore Shqipëri", duke krijuar një atmosferë elektrizuese në kufi, shkruan A2 CNN.

"Kemi ardhur me zemër për kombëtaren. Sot jemi të gjithë bashkë. Shqipëria do fitojë!" tha një prej tifozëve.

Gjatë kesaj pasdites janë shtuar edhe më shumë tifozët nga Kosova, të cilët kanë hyrë në Shqipëri për të ndjekur ndeshjen apo për të kaluar pushimet në bregdet. Ata janë të bindur për fitoren e kuqezinjve.

"Po shkoj në bregdet. Shpresoj të mos ketë provokime nga serbët. Unë parashikoj 2-1 për Shqipërinë”, tha një prej tifozeve.

Ndërkohë, ndër qytetarët që po kalonin kufirin kishte edhe jo tifozë që udhëtonin për arsye pune. Një prej tyre, nga Serbia, u shpreh se ndeshja pritet të jetë e barabartë.

"Të dy ekipet janë të forta. Mendoj se do dalë barazim, 1-1", tha qytetari nga Serbia.

Edhe një qytetar nga Kroacia që po udhëtonte drejt Shqipërisë, dha mendimin e tij:

"Shqipëria ka lojtarë të mirë. Mendoj se do fitojnë", tha një qytetar nga Kroacia, shkruan A2 CNN.

Fluksi i qytetarëve nga Kosova dhe vendet e rajonit drejt bregdetit shqiptar vazhdon të jetë i lartë. Shumë prej tyre do ta ndjekin ndeshjen në pikat e ngritura me ekrane gjigante, të vendosura në zona turistike dhe urbane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos