Shtatë muaj pasi vari këpucët në gozhdë, legjenda e Gjermanisë dhe Realit të Madridit, Toni Kroos është gati të rikthehet për të luajtur në fushën e blertë.
Kroos përflitet se mund të jetë prurja më e re në ‘Icon League’. Turneu përbëhet nga shtatë skuadra me 5 lojtarë, që luajnë përballë njëra-tjetrës në ndeshje që zgjasin nga 30 minuta për pjesë.
Të gjitha ndeshjet e sezonit të rregullt zhvillohen në Castello të Dusseldorf, ndërsa sezoni i ri është planifikuar të nisë më 10 mars dhe do të zgjasë 13 ditë.
Krahas Kroos, shumë yje të futbollit do të marrin pjesë në Icon League, përfshirë legjendën franceze Frank Ribery, ikonën e Hokejit në Akull, Leon Draisaitl, komentatorin Wolff Fuss dhe dyshen e Real Madrid, Antonio Rudiger dhe David Alaba.
Liga njoftoi pjesëmarrjen e Kroos në turne përmes një postimi në Instagram ku tregon ish-mesfushorin duke i ngulur sytë këpucëve të tij legjendare Adidas. “Një vallëzim më shumë”, shkruhej nën foton e Toni Kroos. (A2 Televizion)