Ndryshuan stadium për Anglinë dhe Shqipërinë, Vuçiç kritikon Federatën Serbe: E hëngrët presionin!

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 17:30 | Futboll

Ndryshuan stadium për Anglinë dhe Shqipërinë,

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është shprehur kundër vendimit të Federatës së Futbollit të vendit të tij që ndeshja kundër Anglisë të zhvillohet në Beograd dhe jo në Leskovac, siç ishte përfolur më herët se mund të ndodhte edhe me sfidën ndaj Shqipërisë.

Të dyja këto sfida, me Anglinë më 9 shtator dhe Shqipërinë më 11 tetor, Federata e Serbisë pas diskutimeve me UEFA-n, ka vendosur se Kombëtarja vendase do t’i luajë në stadiumin “Rajko Mitić”, ku luan ekipi kryeqytetas Crvena Zvezda.

Sipas Vuçiç, FSS ka rënë pre e presionit disa ditor, veçanërisht për ndeshjen ndaj Anglisë. Ai theksoi se personalisht ishte pro idesë që përfaqësuesja të vazhdonte të luante në Leskovac, ku edhe kundër Andorrës në ndeshjen e qershorit kishte marrë mbështetje të madhe nga tifozët në stadiumin “Duboçica”.

“Federata e Futbollit dhe të tjerët nuk mund të përballojnë as pesë minuta presion nga ambasada britanike dhe të tjerët që kërkojnë që ndeshja me Anglinë të luhet në Beograd. Dhe pas dy ditësh presioni e ndryshojnë vendimin dhe kërkojnë që të luhet në Beograd. Unë isha pro që ajo të luhej në Leskovac, por të gjithë të tjerët morën vendimin që të luhet në Beograd. Për mua, njerëzit në Leskovac nuk vlejnë më pak se ata në Beograd. Ata i dhanë një mbështetje të jashtëzakonshme përfaqësueses sonë kundër Andorrës”, tha Vuçiq nga Praga për TV Informer.

Presidenti serb po ashtu theksoi se në Beograd mbështetja për ekipin kombëtar nuk do t’i afrohet asaj që dhuruan tifozët në Leskovac.

“Në ‘Marakana’ apo në ndonjë stadium tjetër nuk do të ketë as 300 veta, sepse Beogradi nuk interesohet. Tani që vijnë anglezët, anglezët s’duan të udhëtojnë deri në Leskovac. Ç’më intereson mua që s’u shkon për shtat? Kam marrë dhjetë kërkesa nga ambasadat dhe nuk kam dashur t’u përgjigjem asnjërës. Natyrisht, disa të tjerë që nuk janë në gjendje të përballojnë presionin kanë reaguar dhe kanë ndryshuar vendimin, duke e zhvendosur ndeshjen nga Leskovaci në Beograd”, shtoi ai.

Përfaqësuesja e Serbisë, pas dy ndeshjeve të luajtura në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, ka katër pikë të grumbulluara, dhe ndeshjet e radhës e presin në shtator. Fillimisht do të luajnë në Riga më 6 shtator kundër Letonisë dhe tri ditë më vonë kundër Anglisë në stadiumin “Rajko Mitić”.

Më pas, më 11 tetor, Serbia do të presë Shqipërinë, gjithashtu në stadiumin e Zvezdës, ndërsa në nëntor do të kthehet në Leskovac për ndeshjen kundër Letonisë më datë 16. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos