Berisha përsërit historinë, pret dy penallti dhe fiton kupën e Suedisë

Nga A2 CNN
30 Maj 2025, 10:26 | Futboll

Berisha përsërit historinë, pret dy penallti dhe fiton kupën

Etrit Berisha përsërit historinë. Gardiani shtatlartë arriti që t’i dhurojë skuadrës së tij,  Hacken trofeun e Kupës së Suedisë.

Ish-kapiten i Shqipërisë i rikthyer në futbollin suedez vetëm dy muaj më parë, ndihmoi ekipin të fitonte kupën e katërt në histori, duke mundur në finale gjigandët e Malmos.

Berisha ishte titullar dhe bëri një paraqitje mjaft pozitive. Koha e rregullt dhe shtesat përfunduan me rrjeta të paprekura ndërsa shtatlarti kuqezi ishte vendimtar me disa pritje të tij.  

Edhe pse ndeshja u luajt në stadiumin e Malmos që gumëzhinte nga tifozët e saj, Berisha me eksperiencën e tij arriti ta menaxhojë mjaft mirë.

Pas 120 minutash, dy ekipet iu drejtuan goditjes së 11-metërshave aty ku Berisha tregoi formën e tij më të mirë. 36 vjeçari priti 2 penallti dhe arriti të shënojë të tretën duke shtuar emrin e tij në listën e protagonistëve. Në fund Etrit Berisha u shpall lojtari më i mirë i finales duke kompletuar mbrëmjen magjikë për të. 

Një histori që përsëritet për gardianin pasi në finalen e Kupës së Suedisë në vitin 2011, kur Berisha luante për Kalmar, ai priti 2 penallti dhe shënoi penalltinë e vetë, po kundër Malmos. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos