Napoli Club Albania/ Festa e napoletanëve në Tiranë, titulli i katërt në histori

Nga Dea Kozma
30 Maj 2025, 19:11 | Futboll

Shumë pak njerëz e dinë që në Shqipëri ka tifozë të çmendur të Napolit. Ekipi që këtë sezon shkurorëzoi Interin dhe u shpall kampion i Italisë, arriti të bëjë për vete titullin për herë të katërt në histori.

Emocione të forta, tension dhe në fund lot gëzimi për ekipin e tyre të zemrës. Këto ishin ndjesitë që tifozët e Napolit përjetuan në një sezon të tërë që në fund u mbyll me një festë gjigande jo vetëm në Napoli, por edhe në Tiranë, shkruan A2. 

Në vendin tonë, kemi dëgjuar për tifozët e Milanit, Interit apo Juventusit, por ka dhe një pakicë që simpatizon Napolin dhe janë të apasionuar për këtë skuadër. Për këtë arsye, në vitin 2019, u krijua Napoli Club Albania, që sot ka më shumë se 600 anëtarë. Një “fan club” që bëri bashkë tifozët napoletanë pa dallim moshe, gjinie apo krahine. 

Një sezon i bukur me shumë emocione dhe rivalitet, por në fund festa ishte e gjitha napoletane. Përjetimet e një tifozi janë të papërshkrueshme... aq më tepër kur ky sukses vjen pas një sezoni të vështirë kur asgjë nuk ishte e sigurt.

Bashkë me tifozët shqiptarë, në ethe ishin dhe tifozët napoletanë që për arsye të ndryshme po e shijonin në Tiranë, ekipin e tyre të zemrës që shpallej kampione e Italisë.

Në këtë festë nuk kishte si të mungonte dhe picat e famshme napoletane që kanë një histori të veçantë.

Tifozët janë ata që i japin bukurinë futbollit. Emocionet që ky sport i transmeton për 90 minuta janë të papërshkrueshme. Dikush mundohet ta fshehë veten, e dikush tjetër shpërthen në lot.

Futbolli nuk është vetëm një lojë, por më shumë kaq...  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos