Atletico Madrid ka marrë një fitore të rëndësishme 4-2 ndaj skuadrës së fundit në renditje, Real Valladolid, në një ndeshje dramatike në "Metropolitano", duke regjistruar fitoren e tetë radhazi në shtëpi ndaj këtij rivali në La Liga.
Skuadra e Diego Simeones nisi vrullshëm dhe Pablo Barrios ishte pranë golit, por portieri André Ferreira reagoi mirë. Megjithatë, ishte Valladolid që befasoi të gjithë kur fitoi një penallti pas një prekjeje me dorë të Lenglet në zonë. Mamadou Sylla realizoi qetësisht, duke kaluar miqtë në avantazh.
Por avantazhi zgjati pak, pasi vetëm katër minuta më vonë, Atlético fitoi një tjetër penallti, këtë herë pas një faulli të Javi Sánchez ndaj Giuliano Simeones. Julián Alvarez barazoi rezultatin me shumë fat, ndërsa vetëm dy minuta më pas, Simeone shënoi një gol të bukur me të majtën për të përmbysur gjithçka për vendasit.
Sánchez u shlye në fillim të pjesës së dytë, kur barazoi me një goditje dënimi të devijuar. Por Atlético reagoi menjëherë dhe fitoi penalltinë e tretë të takimit pas një faulli të Henrique ndaj Llorente. Alvarez shënoi sërish, këtë herë në këndin e poshtëm.
Në fund, ishte Alexander Sørloth që vulosi rezultatin 4-2. Me këtë fitore, Atletico ngushton diferencën me Barcelonën dhe Real Madridin në garën për titullin, ndërsa Valladolid mbetet në fund të tabelës me një tjetër humbje në transfertë. (A2 Televizion)