Në qytezën Torsby të Suedisë u zhvillua funerali i ish-trajnerit të famshëm Sven-Goran Eriksson. Lamtumira e fundit për teknikun e parë të huaj që mori drejtimin e përfaqësueses angleze, u dha në vendin ku ai u rrit, përpara se të niste karrierën e shkëlqyer, ku gjatë disa dekadave drejtoi klube dhe përfaqësuese, duke fituar edhe trofe.
Një person që gjithmonë transmetonte qetësi, por tejet i vendosur në idetë dhe objektivat e tij, Eriksson punoi në disa skuadra në Suedi, Portugali dhe Itali ndërmjet viteve ’80 dhe ’90, ku fitoi trofe madhorë. Në vitin 2001 ai mori drejtimin e stolit të Anglisë, ku punoi me yje të kalibrit si David Beckham, me të cilin krijoi edhe një lidhje të fort.
Në janar të këtij viti, Eriksson njoftoi se vuante nga kanceri në pankreas. Muajt e fundit të jetës i kaloi në mënyrë private, duke shijuar shoqërinë e njerëzve më të afërt dhe në vendet që kishte për zemër.
Në funeralin e zhvilluar në Torsby, qytezën me më pak se 5 mijë banorë në afërsi të kufirit të Suedisë me Norvegjinë, morën pjesë qindra persona, teksa i pranishëm në kishë ishte edhe Beckham.
Pas shërbimit që zgjati afërsisht një orë, arkivoli me trupin e pajetë të trajnerit të famshëm u shoqërua për në banesën e fundit.
Gjatë kortezhit u luajtën tingut e këngës “Nuk do të ecësh kurrë vetëm”, himni i skuadrës së Liverpool, për të cilën Eriksson bënte tifo dhe që arriti ta drejtonte në miqësoren e legjendave gjatë muajit mars. (A2 Televizion)