Sylvinho qëndron në krye të Kombëtares shqiptare

Nga A2 CNN
9 Korrik 2024, 23:41 | Futboll

Sylvinho qëndron në krye të Kombëtares shqiptare

Edhe pse nga sot Sylvinho nuk do të ishte më trajneri i Shqipërisë, burime pranë FSHF-së tregojnë se ai ka arritur akordin për të rinovuar kontratën.

Braziliani Sylvinho do të vijojë të jetë trajner i Kombëtares shqiptare. Kontrata e brazilianit përfundonte pas Europianit, por duket se Sylvinho ka gjetur gjuhën e përbashkët me Federatën shqiptare dhe do të vijojë të jetë në krye të kuqezinjve.

Nga aq sa bëhet e ditur, marrëveshja është për rinovimin e kontratës të paktën deri në fund të kualifikueseve të Botërorit 2026. Paraqitjet poztive të përfaqësues shqiptare ne Euro2024, edhe pse përballë kishte gjigandë të futbollit botëror kanë bërë që Presidenti Duka ta bind brazilianin që të nënshkruajë kontratë deri në verën e vitit 2026.

Sylvinho u ul në pankinën e Shqipërisë në janar të vitit 2023 dhe që atëherë, 50-vjeçari ka drejtuar kuqezinjtë në 16 ndeshje, ku ka arritur shtatë fitore, katër barazime dhe pesë humbje, ndërsa arriti të kualifikojë ekipin kuqezi në Kampionatin Europian në Gjermani.

Tani, fokusi i kuqezinjve do të jetë në përgatitjet e Ligës së Kombeve në muajin shtator si dhe kualifikueset e Kupës së Botës. Siç mësohet, natyrisht pjesë e stafit të brazilianit do të jenë edhe Pablo Zabaleta dhe Doriva.

Ndeshja e radhës për Shqipërinë do të jetë në muajin shtator ku kuqezinjtë do të luajnë përballë Ukrainës në 7 shtator, dueli i vlefshëm për Nations League. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos