Një lëvizje sensacionale, një ide sensacionale, një sugjerim. Quajeni si të doni, por opsioni i ri për mesfushën e Milanin e ri të Massimiliano Allegrit quhet Luka Modriç.
Mesfushori kroat, i cili sapo i ka thënë lamtumirë Bernabeut dhe që në fund të Kupës së Botës për Klube do t'i thotë gjithashtu përfundimisht lamtumirë Real Madridit, dëshiron të luajë në Kupën e Botës 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada në formën më të mirë të mundshme dhe është gati të fillojë një aventurë të re, si transferim i lirë.
Igli Tare e di këtë dhe po reflekton mbi mundësinë për të bërë një tentativë, duke e ditur mirë se Topi i Artë i vitit 2018 nuk e ka fshehur kurrë dashurinë e tij për fanellën kuq e zi, të veshur nga idhulli i tij Zvonimir Boban.
Prandaj, Milani nuk është një ekip si të gjithë të tjerët për Modriç dhe një telefonatë me siguri do ta tundonte atë. Përveç konkurrencës së dukshme duke qenë se është një transferim i lirë, mungesa e Milanit në kompeticionet europiane duket të jetë pengesa më e madhe.
Kjo pasi, kroati nuk po kërkon as një kontratë të pasur dhe ardhja e tij do t'i shtonte klas, personalitet dhe përvojë ekipit kuqezi.
Për momentin nuk ka negociata në zhvillim e sipër, edhe sepse Modriç nuk po nxitohet të vendosë. E para është Kupa e Botës për Klube, angazhimi i fundit i një karriere legjendare me Real Madridin, pastaj do të mendojë për të ardhmen dhe për përvojën e fundit të karrierës së tij. (A2 Televizion)