Paga problem për turkun, Interi në alarm. Çalhanoglu mund të zgjedhë Juventusin

Nga Dea Kozma
25 Nëntor 2026, 19:12 | Futboll

E ardhmja e Hakan Çalhanoglu po kthehet në një çështje delikate për Interin, ndërsa në horizont shfaqet mundësia e një tjetër lëvizjeje që mund të zemërojë tifozët zikaltër.

Mesfushori turk është pranë refuzimit të ofertës për rinovimin e kontratës dhe mund të përfundojë te një prej rivalëve të përjetshëm të Interit.

Kontrata aktuale e 32-vjeçarit përfundon në qershor të vitit 2027, ndërsa palët ende nuk kanë gjetur një marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit. Një nga pengesat kryesore mbetet çështja financiare, pasi drejtuesit e Interit synojnë të ulin kostot e pagave, ndërsa lojtari nuk dëshiron të heqë dorë nga kushtet aktuale.Çalhanoglu përfiton 6,5 milionë euro në sezon, ndërsa marreveshja e re që zikaltërit i kanë ofruar është 5 milionë euro në sezon plus bonuse, diçka që turkut nuk i ka pëlqyer aspak, shkruan A2.

Situata ka tërhequr vëmendjen e Juventusit dhe Comos, që po monitorojnë me kujdes zhvillimet dhe mund të ndërhyjë nëse negociatat me Interin dështojnë. Një transferim i tillë do të ishte veçanërisht i ndjeshëm për tifozët zikaltër, duke pasur parasysh rivalitetin historik mes dy klubeve.

Çalhanoglu u bë pjesë e Interit në vitin 2021, pasi la Milanin, një lëvizje që në atë kohë shkaktoi shumë polemika. Tashmë, një tjetër kalim te një rival i madh i Serisë A mund ta vendosë sërish në qendër të debatit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos