Champions League vijon këtë të mërkurë me nëntë përballje të tjera, të vlefshme për javën e pestë të fazës së ligës. Në fushë zbresin Barcelona, Liverpool, Inter, Bayern Munich, PSG dhe Manchester United, në një mbrëmje ku statistikat premtojnë shumë gola dhe rivalitet.
Barcelona udhëton në Azerbajxhan për t'u përballur me Sabah Katalanasit kanë një statistikë mbresëlënëse: 22 ndeshjet e fundit në fazën e grupeve dhe atë të ligës në Champions kanë prodhuar të paktën tre gola, shkruan A2.
Liverpooli luan në Belgjikë ndaj Club Brugge. Anglezët kanë shënuar 14 gola, por kanë pësuar edhe 10 pas katër ndeshjeve, shifra që tregojnë problemet në prapavijë. Nga ana tjetër, Brugge ka vendosur një rekord në kompeticion: 19 ndeshje radhazi me të paktën tre gola.
Në Milano, Interi pret Stuttgartin. Zikaltërit kanë shënuar në tetë ndeshje radhazi në Champions dhe me një tjetër gol do të barazonin rekordin e tyre historik. Gjermanët kanë në përbërje Ermedin Demirovic, i cili me katër realizime ka vendosur tashmë rekordin personal të klubit për gola në një edicion të Champions League.
PSG përballet me Romën. Francezët janë të pamposhtur në 14 takimet e fundit të Champions League.Ndërkohë, Atletico Madrid pret Vikingun, Shakhtar Donetsk përballet me Fenerbahçen, ndërsa Sporting Lisbona sfidon Manchester United. Portugezët kanë shënuar në 22 ndeshje radhazi të fazës së ligës dhe grupeve, një rekord për një skuadër nga Portugalia.
Kjo është java e pestë e fazës së ligës, ku çdo pikë merr gjithnjë e më shumë rëndësi. Kujtojmë se tetë skuadrat e para sigurojnë kualifikimin direkt në fazën e 16-shes, ndërsa ekipet nga vendi i nëntë deri në të 24-in kalojnë në play-off. (A2 Televizion)