Berat Gjimshiti ka pësuar një dëmtim në ndeshjen e Atalantës ndaj Udineses, të zhvilluar gjatë mesditës. Pas ndeshjes, trajneri i skuadrës bergamase, Gian Piero Gasperini, ka dhënë një deklaratë për situatën e mbrojtësit shqiptar.
Ai ka treguar se Gjimshiti do të niset për të bërë një radiografi për të konfirmuar natyrën e dëmtimit dhe ka shpresuar që të jetë vetëm një ndrydhje dhe jo diçka më serioze.
Gasperini ka theksuar se ndalesa e kampionatit vjen në një moment të duhur për Atalantën, pasi ekipi ka disa lojtarë të dëmtuar dhe shpresojnë që këto javë të mund të ndihmojnë në rikuperimin e disa prej tyre, shkruan A2.
Për Gjimshitin, trajneri ka shtuar se shpreson që të mos ketë fraktura dhe se dëmtimi të jetë i lehtë, duke e mundësuar rikuperimin e tij në kohë. Kjo mund të jetë një tjetër goditje për mbrojtësin, pasi mund të humbasë grumbullimin e Kombëtares shqiptare, e cila po përgatitet për ndeshjet e rëndësishme ndaj Çekisë dhe Ukrainës.
Në këtë mënyrë, mungesa e tij mund të përbëjë një shqetësim për trajnerin e Kombëtares, Sylvinho, që ka nevojë për lojtarë në formë për këto sfida vendimtare për Ligën e Kombeve. (A2 Televizion)