Trajneri shpjegon zgjedhjet, Sylvinho: Kemi një ëndërr, kualifikimin në botëror!

Nga A2 CNN
15 Mars 2025, 13:10 | Futboll

Objektiva, ëndrra, mungesa dhe zgjedhje të vështira për të bërë. Trajneri Sylvinho shpjegoi zgjedhjet e bëra, me lojtarët e grumbulluar për debutimin në kualifikueset e Botërorit 2026. Nga të dëmtuarit, te zgjedhjet teknike ku mbeti jashtë Seferi dhe u grumbullua Brruti.

“Mitaj dhe Daku duhet të operohen, Hysaj rikuperohet vetëm pas ndeshjeve, Bare ka dëmtim në pulpë. Kemi dëmtime, por edhe në skuadrat e tjera ka dëmtime. Lënia jashtë e Seferit lidhet me aspektin strategjik, pasi kemi shumë lojtarë në krahun e majtë. Ai ka bërë mirë në ekip dhe shërben si mesazh për të gjithë, se janë në syrin tonë dhe janë pjesë e planeve tona. Në krahun e djathtë nuk kemi shumë alternativa, aty ku rikthehet Pajaziti, ndërsa Brruti luan me të majtën. Është lloji i lojtarit që na mungon dhe do të na shërbejë”, tha trajneri i Kombëtares, Sylvinho.

Ndeshja e parë me Anglinë në Wembley është starti më i vështirëi mundshëm për Kombëtaren, shkruan A2 CNN.

“Kemi ndeshje të rëndësishme, por duhet të punojmë shumë. Anglia ka një skuadër të fortë dhe trajneri i ri Thomas Tuchel është një emër i rëndësishëm. Duhet të përgatitemi shumë mirë për ta përballuar sfidën. Anglezët kanë një prej ekipeve më të mira në botë, me lojtarë shumë të fortë. Kanë luajtur dy finalet e fundit të Europianit”, tha më tej Sylvinho.

Edhe pse grupi është i vështirë, me Anglinë dhe Serbinë në pozita më të favorizuara, synimi është kualifikimi historik në Kupën e Botës.

“Kaluam Nations League dhe nisim një kompeticion krejt të ndryshëm. Kemi një ëndërr: duam të shkojmë në Botëror. Është e vështirë, por do ishte bukur të arrihet. Duhet të marrim sa më shumë pikë në një grup të vështirë. Elementët që nuk duhet të mungojnë asnjëherë janë zemra, djersa dhe shpirti i ekipit. Rregulli në këtë turne ndryshon, sepse kualifikohet vetëm vendi i pare”, përfundoi ai, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos