Basketbolli shqiptar mbylli një vit të suksesshëm me shumë vështirësi, por mbi të gjitha me objektiva të arritura. Në një mbrëmje gala, Federata e Basketbollit zgjodhi më të mirët e 2024 duke i vlerësuar me një çmim individual për atë çfarë ata kanë dhënë në parket.
Sipas Presidentit të FSHB, Avni Ponari, niveli i këtij sporti po rritet çdo vit e më shumë, ndërsa objektivi i Federatës mbetet brezi i ri që po rritet.
Besëlidhja ka dominuar në basketbollin për meshkuj. Pas një sezoni perfekt edicionin e kaluar, edhe këtë vit mbeten ekipi për t’u mundur. Skuadra me mbështetjen më të madhe financiare në basketbollin shqiptar ka rritur ambiciet për të fituar çdo trofe të mundshëm. Meritë të veçantë në të gjitha sukseset e skuadrës ka basketbollisti Julian Hamati, që u përzgjodh edhe si lojtari më i mirë për vitin 2024. Punëtor dhe fjalëpak, Hamati preferon të flasë më shumë në parket.
Sa i përket çmimeve të tjera, lojtari i preferuar nga votat “online” u shpall Eldi Hysa, sërish basketbollisti i Besëlidhjes, duke lënë pas lojtarët e Tiranës, Vllaznisë apo Teutës.
Te basketbolli i vajzave, rivaliteti në parket po rritet çdo vit e më shumë. Nga Tirana, Flamurtari dhe Partizani, tre skuadra me ambicie të mëdha dhe mbeten pretendente kryesore për të fituar titullin kampion. Edicioni i kaluar ishte i mbushur me emocione për vajzat e basketbollit ku diferenca u bë vetëm në fund. Tirana arriti të mposhtë Flamurtarin me shifrat 71-51 dhe u shpall Kampione e Shqipërisë. Një sukses që kthehet në kryeqytet pas 5 vjetësh. Enisa Qosja ishte basketbollistja që u vlerësua nga FSHB si më e mira e vitit që lamë pas, ndërsa trajnerja Mirza Alibegaj nuk e fsheh dëshirën për të fituar dhe më shumë.
Vota online shpalli basketbollisten e Partizanit, Ornela Lalaj, si lojtaren e preferuar. Lalaj tregoi se ndonëse konkurrenca është rritur, kjo i shtyn akoma dhe më shumë për të dhënë maksimumin.
Edhe Kombëtarja e basketbollit për meshkuj është një skuadër që po rindërtohet dhe premton shumë për të ardhmen. Për trajnerin Erkand Karaj, ka akoma shumë punë për t’u ringritur, por me cilësitë që lojtarët kanë, e ardhmja duket premtuese.
Pjesë e kësaj mbrëmjeje gala ishin dhe legjenda të basketbollit shqiptar që për vite me radhë kanë dhënë kontributin e tyre në parket.
Federata e Basketbollit ndau çmime dhe për talentet e moshave apo dhe arbitrat më të mirë për vitin 2024. Sezoni i ri premton dhe më shumë sukses, rivalitet dhe ndeshje të mbushura me emocione. (A2 Televizion)