Giro d’Italia nis nga Shqipëria, Rama: Lajmi është publikuar në 70 shtete të ndryshme

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2024, 09:43 | Sporte të tjera

Giro d’Italia nis nga Shqipëria, Rama: Lajmi është

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama bën të ditur se lajmi që “Nisja e Madhe - Grande Partenza” e Giro d’Italia nga Shqipëria është publikuar në 70 shtete të ndryshme nga 700 burime informacioni.

“MIRËMËNGJES dhe me lajmin se “Nisja e Madhe - Grande Partenza” e Giro d’Italia nga Shqipëria, majin e ardhshëm (një nga evenimentet sportive më të ndjekura në botë, me mbi 800 milionë shikues përmes ekraneve në 200 vende të botës), është publikuar në 70 shtete të ndryshme nga 700 burime informacioni, uroj ta keni sa më të paqtë këtë javë të fundit të vitit”, shkruan Rama në Facbook.

Gara 114-vjeçare është një prej tre eventeve çiklistike më të rëndësishme në botë. Ajo transmetohet në 200 vende të botës dhe ndiqet nga mbi 800 milionë telespektatorë.

Nëse këtë event, kryeministri Rama e cilësoi “njësoj si të kishim Cristiano Ronaldon mbi biçikletë”, ministrja Manastirliu e vendosi theksin te promovimi i vendit.

Etapa e parë e Xhiros së Italisë nis në Durrës më 9 maj 2025. Pas 164 kilometrave, çiklistët do të mbërrijnë në Tiranë.

Etapa e dytë, më 10 maj në kryeqytet është vetëm 13,7 km e gjatë, ndërsa në etapën e tretë më 11maj, gara do të zhvillohet në Vlorë, për të shfrytëzuar terrenin malor, duke përshkuar edhe pjesën më të madhe të bregdetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos