
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ishte në Abu Dhabi, ku takoi CEO-n e ETHARA, që menaxhon pistën e Formula 1, Yas Marina Circuit.
Gonxhja bën me dije se në takim u diskutua "mbi shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimin teknik për projektin “Auto Moto Park Albania”, një nismë strategjike që po merr formë në Elbasan dhe që synon të pozicionojë Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të sporteve motorike".
"Në Abu Dhabi, me z. Saif Rashid Al Noaimi, CEO-n e ETHARA që menaxhon pistën ikonike të Formula 1 Yas Marina Circuit, një prej destinacioneve më prestigjioze sportive e turistike në botë. E ndërtuar në vitin 2009, kjo pistë është shndërruar në një model të suksesshëm të ndërthurjes mes sportit elitar, turizmit luksoz dhe zhvillimit ekonomik", shkruan Gonxhja.
"Në këtë kuadër, diskutuam mbi shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimin teknik për projektin “Auto Moto Park Albania”, një nismë strategjike që po merr formë në Elbasan dhe që synon të pozicionojë Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të sporteve motorike. Ashtu si Yas Marina Circuit për Abu Dhabin, edhe Auto Moto Park Albania pritet të shndërrohet në një qendër të rëndësishme rajonale për sportet motorike, turizmin dhe industrinë e eventeve, një gjenerator i ri zhvillimi dhe promovimi turistik për vendin dhe rajonin. Ky bashkëpunim përfaqëson një hap domethënës drejt ndërtimit të një platforme moderne që do të nxisë inovacionin, do të fuqizojë sportin shqiptar dhe do të vendosë Shqipërinë në një dimension të ri të zhvillimit sportiv e ekonomik", shton më tej ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit. (A2 Televizion)
