Pilotët sfidohen në Brezovicë. Tjetër paraqitje e shkëlqyer, Shaqiri vijon luftën për FIA CEZ

Nga Ideal Gola
7 Gusht 2025, 19:35 | Sporte të tjera

Në një nga rrugët më sfiduese malore të Kosovës, aty ku kthesat kërkojnë guxim, precizitet dhe përvojë. Brezovica në këtë kohë të vitit nuk pret skiatorë, por kampionë të shpejtësisë në garën e radhës të vlefshme për FIA CEZ.

Pilotë nga i gjithë rajoni u sfiduan në pistën rreth 8 kilometra, në mesin e tyre edhe një emër që gjithnjë lidhet me majat e podiumit, Gentian Shaqiri.

Në zemër të maleve të Brezovicës, ndodh një garë ku gjithçka vendoset me një xhiro. Kjo është një nga garat më unike të automobilizimit në Kosovë që vlen jo vetëm për kampionatin vendor por edhe për atë të Europës Qendrore, shkruan A2.

Garuesit dhe ekipet e tyre teknike po bëjnë kontrollet e fundit. Përqendrimi është maksimal. Në Brezovicë, një shteg, një xhiro dhe një mundësi për fitore.

Gara Brezovica 2025 është e katërta në kalendarin e kampionatit Kosovar në disiplinën malore. Me një gjatësi prej 7.7 kilometrash dhe kthesa të shumta i vendos pilotët para një presioni dhe adrenaline.

Kjo garë është pjesë edhe e kalendarit ndërkombëtar FIA CEZ duke sjellë pilotë edhe nga jashtë vendit.

Gentian Shaqiri i “Nacut Racing” nga Shqipëria me makinën e tij Tatuus është padyshim një nga pilotët që i jep vlerë garës.

Rivaliteti i tij me pilotin e ekipit “Dubrovnik”, hungarezin Laszlo Szasz i jep një tjetër dimension garës, ndërsa në renditjen e përgjithshme përpiqet maksimalisht të jetë konkurrues edhe Gazmend Demolli i klubit të Ferizajt. 

Gentian Shaqiri, “Naçut Racing”, tha: “Kur kemi përballë Brezovicën është vërtetë sfida më e madhe, është gara më e rëndëisshme dhe më sfiduese e të gjithë sezonit për mua sepse është 8 km dhe ka kthesa, gjysmë të shpejta, të shpejta, brryla dhe është shumë e vështirë të memorizosh 8 km kthesa, pra ne nisemi këtu afër Brezovicës dhe përfundojmë në finish afër Prevallës”.

Entuziazmin për pistën nuk e fshehin as pilotët e tjerë.

“Ka shtigje të tjera në Kosovë por Brezovica si Brezovicë është pak më ndryshe, është shtegu i gjatë 7.7 kilometra, shpejtësia pak më e madhe, më adrenalinë, më e mira është në Kosovë”, shprehet Ismail Smani.

Organizimi i një gare padyshim është sfidues si për autoklubin e Ferizajt si mikprtiës por edhe për Federatën e Autosporteve të Kosovës.

Masat ishin sipas standardeve europiane, duke u kujdesur për sigurinë e pjesëmarrësve.

Agron Dida, kryetar i FASK, thotë: “Të organizosh në nivelin evropian është një sfidë e madhe, ju e dini që këto gara i kemi organizuar prej kohësh por çdo herë e çdo garë e ka specifikat e veta d.m.th asnjë garë nuk mund të krahasohet me garën paraprake, ndonjëherë veturat ndërrohen, kërkesat janë më të mëdha, teknologjia po shkon përpara”.

Pavarësisht vështirësive, Brezovica sjell gjithmonë entuziazëm mes pilotëve: “Secili garues që vjen këtu për veten ka një histori të veçantë, kur të pyesësh që ka ardhur me reynard, formula 1, ose Gentianin tonë të Shqipërisë, thotë se është një prej shtigjeve më të mria që kam qejf të vozis, me të vërtetëe është sfiduese sepse gara nuk është vetëm në shpejtësi, gara është në stërvitje, në zhdjevërllësi, mbajtja në mend, memoria, se në një shteg 7.7 km garuesit duhet të jetë plotësisht i afët të mbajë mend të gjithë kthesat”.

Sadat Rysha, kryetar i AK “Ferizaj”, tha: “Më shumë është adrenalinë se ka kthesa të gjata, është sfiduese shumë, ka konkurrencë shumë të forta prej formulas e deri në 1.3, ka kategori të ndryshme, është shumë e bukur pista, shumë është e mirë”.

Brezovica kërkon përgatitje maksimale nga një pilot i cili synon të ngjitet në podium. 

“Duhet të vish me makinë normale t'i mësosh përmendsh të gjitha kthesat, ta dish shumë mirë. Pra kur je duke garuar me këtë makinën ta dish në cilën pjesë je të pistës dhe cfarë kthese ke përpara që të dozosh frenat, gazin, marshet dhe të bësh praktikisht të asemblosh një xhiro perfekte. Gjëja e parë është memoria, ta dish pistën përmendësh. Gjëja e dytë është të jesh sa i më përgatiur fizikisht në mënyrë paraprake ta përballosh të gjithë pilotimin 8 km”, shprehet Gentian Shaqiri.

Në mesin e veturave pjesëmarrëse në garë është edhe një Volvo që nuk haset zakonisht në gara të tjera. 

Burim Asllani, pilot i AK “Ferizaj”, tha: “Kjo është Volvo legjendare, volvo e parë van që ka marr pjesë në gara, edhe e kam adhuruar gjithmonë si veturë. Në jetën e përditshme vozis Volvo, jam adhurues i madh i Volvos, kjo është një Volvo 850. Mbi 455 e ka, është e përgatitur enkas për gara, është marr dhe punuar nga një suedez, me shumë përkujdesje, jam çdo ditë e më tepër po ia marr dorën”.

Mes pilotëve të shumtë, një figurë tërheq vëmendje të veçantë, e vetmja femër në këtë garë që sfidon jo vetëm shtegun, por edhe stereotipet. Arjeta Rysha tha: “Duke pasur parasysh që jam e vetja garuese femër normal që ndihem e priviligjuar dhe pasioni më i madh për shpejëtsinë me ka shtyrë që mos të ndalem dhe të jem e vetmja këtu në mesin e gjithë këtyre garuesve”.

Numri i piloteve femra mbetët ende i ulët edhe për shkak të vështirësive të këtij sporti. Sadat Rysha shpjegon: “Me thënë të drejtën, pak [femra] janë lajmëruar, kanë provuar por është sfidë shumë e fortë, shumë e rëndë. Arjeta është adaptuar, ka konkurrencë me meshkuj shumë të fortë, por po ia del”.

Arjeta mori pjesë për herë të parë në garën e Brezovicës në kategorinë 2.0: “Motivi më i madh për të marr pjesë në gara më së shumti është pasioni për shpejtësinë, qysh e vogël, normal adrenalina është maksimum dhe pista e Brezovicës është një ndër pistat më favorite për mua, është pistë e gjatë 7.7 km dhe ka në vete kthesa të rrezikshme, ka vende ku mund të shfrytëzohet shpejtësia”.

Vetëm pak sekonda nga kthesat e shumta të kësaj piste mund të bëjnë diferencën mes podiumit dhe zhgënjimit. Kjo është arsyeja pse gara e Brezovicës nuk kërkon vetëm shpejtësi por edhe gjakftohtësi në momentet vendimtare.

Gara ishte në nivelet e pritshmërive, ashtu sikurse edhe pretedentët nuk zhgënjyen me paraqitjet e tyre.

Përkundër rrezikshmërisë, nuk u regjistruan shumë incidente, ndërsa vetëm në një rast një nga pilotët kërkoi ndihmën e mjekëve për shkak se doli nga pista por që fatmirësisht u njoftua se ishte mirë.

Në renditjen e përgjithshme për kampionatin FIA CEZ fitues u shpall Laszlo Szasz nga klubi “Dubrovnik” me një kohë prej 3 minuta e 57.644 sekonda dhe shpejtësi mesatare prej 116.64 km/h.

Hungarezi doli i pari edhe në kategorinë e tij.

I dyti u rendit Gentian Shaqiri i “Nacut Racing” me makinën Tatuus, duke humbur kreun për vetëm 5.844 sekonda. 

Shaqiri u ngjit tri herë në podium, duke qenë i pari në kategorinë e tij dhe i dyti në Promo: “Shumë i kënaqur, morëm atë që prisnim, një vend të dytë në overall, në vend të parë në kategori dhe vend të dytë në Promo. Ishte maksimumi që mund të merrnim me makinën, me çfarë ishim përgatitur dhe gjej rastin të falënderoj të gjithë sporonsorët, të gjithë mëbshtetësit, të gjithë sportdashësit që erdhën këtu dhe na mbështeten”.

Kampioni aktual i kampionatit të Europës Qendrore tha se po shpresonte në ndonjë lëshim të hungarezit Szasz, por veterani u tregua i jashtëzakonshëm edhe në Kosovë: “Po shpresoja të bënte gabim gjithmonë vendi i parë, Laszlo që ai nuk gabon asnjëherë, është si makineri e pagabueshme, unë pres që të bëj gabime por ai nuk bën gabime, gjithsesi ishim më afër ishim 5 sekonda me vendin e parë dhe një rezultat shumë i mirë për mua, për ekipin tim ‘Nacut Racing’ por edhe për Shqipërinë, për motosportin shqiptar”.

Vendin e tretë në renditjen e përgjithshme e zuri Gazmend Demolli nga Prishtina me Mitsubishi Lancer, me një kohë prej 4:06.892, duke ruajtur pozitat e larta të garuesve vendas në një konkurrencë të ashpër me pjesëmarrës nga i gjithë rajoni.

Demolli ishte më i miri edhe në kuadër të kampionatit vendor: “Shkoi gjithçka në rregull, këtë vit jam i ri me këtë veturë, është një veturë pak më specifike dhe kam bo një rezultat mjaft të mirë. Edhe pse është rekordi është 3-4 sekonda që ka qenë, mirëpo është një kohë shumë e mirë dhe jam i kënaqur me rezultatin”.

Demolli është veçanërisht i kënaqur edhe me zhvillimin e motosportit në Kosovë: “Kosova është një hap para shteteve fqinje, para Shqipërisë Maqedonisë, mund të them edhe Malit të Zi, jemi shumë hapa para këtyre, është organizim shumë i mirë, njerëz punojnë për këtë punë dhe jemi të kënaqur kemi arritur rezultate, kemi makina shumë të mira që garojnë dhe kemi bërë rezultate në Europë”.

Ndërsa sa i përket pilotit nga Shqipëria, Gentian Shaqiri, javët e muaj në vijim janë të ngarkuara me gara me synimin e vetëm për t’u konfirmuar si kampion i Europës Qendrore: “Ne jemi në këtë optikën e kampionatit presim të vazhdojmë kampiontin dhe të mbledhim pikë për optikën e Europës Qendrore, kampionatin FIA Cez, dhe garën e radhës e kemi në Cazin që është një debutim sepse s’kam qenë asnjëherë, shpresoj të bëjmë mirë atje, të akumulojmë sa më shumë pikë që të rishpallemi kampionë të Europës Qendrore siç dolëm dhe vjet më 2024”.

Në garën e Brezovicës ku morën pjesë 30 pilotë, si autoklubi më i sukseshëm u shpall ai i Ferizajt me 90 pikë, pasuar nga Prishtina Racing Team me 75 dhe Prizreni me 70.5 pikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos