
Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Kosovë ku u qëllua me armë një autobus që transportonte nxënës shkolle dhe për pasojë dy prej tyre humbën jetën bashkë me drejtuesin e mjetit.
Kreu i Shtetit, i cili më herët gjatë ditës qëndroi në Prishtinë iu shprehu ngushëllimet familjare dhe kërkoi nga autoritetet përgjegjëse që të zbulojnë këtë krim të rëndë.
“Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur.
Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë.
Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë!
Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor”, tha Meta.
Për këtë ngjarje reagoi dhe kreu i PD, Lulzim Basha i cili e konsideroi atë si një krim makabër që duhet zbardhur.
“Dhimbje dhe trishtim për ngjarjen e sotme në Deçan. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Shërim të shpejtë nxënësit që po merr ndihmën mjekësore. Jam i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithcka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër”, shkruan Basha. (A2 Televizion)