
Lidhur me ngjarjen e rëndë në Deçan, ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Me një postim në rrjetin social Facebook, Osmani iu ka shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave ndërsa ka kërkuar nga organet e drejtësisë, zbulimin e autorëve të sulmit.
“Tronditës lajmi për aktin kriminal në Gllogjan, në të cilin sipas të dhënave aktuale kanë humbur jetën 3 persona dhe ka mbetur një i plagosur.
Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarin.
Ftoj organet e rendit që sa më parë t`i zbulojnë autorët e krimit dhe t`i sjellin para drejtësisë.
Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni”, shkruan Osmani.
Të njëjtën kërkesë ka bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili me një postim në Facebook, ka nxitur organet e rendit që të zbulojnë autorët e krimit të rëndë.
Sipas raportimeve nga mediat në Kosovë një autobus me nxënës shkolle u sulmua me armë zjarri nga persona të maskuar në fshatin Gllogjan të Deçanit. Deri në këto momente raportohet për 3 të vdekur dhe 1 person të lënduar. (A2 Televizion)