
Ministria e Arsimit ka zyrtarizuar rikthimin e pjesshëm në bankat e shkollës të maturantëve, që në periudhën 18 maj deri në 5 qershor do të përgatiten për provimet e fundit, që do të mbahen në periudhën 8-18 qershor, ndërkohë që gjithë të tjerët do të vijojnë mësimin online.
Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, mendon se vendimi ishte ai i duhuri, i pari i ministrisë. “Mendoj se vendimi i djeshëm është realist, më në fund ministrja foli për realitetin, deri dje ishte propagandë”, deklaroi ai, në një intervistë për A2.
Sipas tij deri dje ministrja Shahini deklaronte se “97% të studentëve studionte online, dhe për herë të parë në historinë e arsimit shqiptar nuk ka provime lirimi. Më realist ka qenë vlerësimi i studentëve, ku rreth 40% ka deklaruar se nuk ka akses online. Në zonat rurale, në periferitë e qyteteve, nuk ka pasur mësim, dhe ministrja duhet t’iu kërkonte të falur”.
Ndërkohë, ish-ministri demokrat denoncoi një klimë “burokracie terrorizuese” të Ministrisë ndaj pedagogëve “me një arrogancë të pastër” që sipas tij është një metodë, dhe që ka cenuar edhe privatësinë e stafit pedagogjik, të detyruar në një mësimdhënie online, ndërkohë që ministria nuk kishte përgatitur infrastrukturën e duhur.
Tafaj mendon edhe që periudha e përcaktuar për provimet në qershor është disi e ngushtë, “duhej zgjeruar për të pasur pasoja negative sa më të vogla”.
Edhe situata e studentëve universitarë është e vështirë, dhe sipas Tafajt “atyre u duhet parashikuar një mbështetje në paketën e tretë të qeverisë, sepse ata po e paguajnë vetë aksesin në internet”. (A2 Televizion)