
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë "Thirrje për Veprim Global për Sigurinë Ushqimore", në OKB, me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ku foli mbi rrezikun ushqimor të shkaktuar dhe nga lufta në Ukrainë.
“Më shumë njerëz janë në rrezik, më shumë njerëz po shkojnë drejt varfërisë dhe ajo që është po aq shqetësuese është se kriza paraqet një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e shumë vendeve dhe rajoneve”, tha Xhaçka.
Xhaçka shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të mbështetur nismat e iniciuara nga partnerët, duke vënë theksin te zgjidhja e krizës ushqimore.
“Të punojmë së bashku në gjetjen e një zgjidhjeje, Rusia ta dijë se bota është e bashkuar.
Shqipëria është e angazhuar të punojë së bashku në identifikimin e sfidave, zgjidhjeve dhe të mbështesë punën e agjencive të specializuara të Kombeve të Bashkuara për të arritur zgjidhje afatshkurtra dhe afatgjata për krizën globale të sigurisë ushqimore”, shtoi ministrja.
Ministrja e Jashtme kërkoi nga kolegët e saj që të punojnë dhe për krijimin e mundësisë për nxjerrjen e prodhimeve ukrainase jashtë vendit, për të shmangur thellimin e krizës në vendet e tjera. (A2 Televizion)