Me rijetëzimin e qendrës historike të Vlorës është menduar edhe për një muze tjetër. Ndërtesa e historisë së hebrenjve në Shqipëri do të jetë pjesë e këtij kompleksit kulturor. Dhe një kompani izraelite është shpallur në fund të vitit të shkuar si projekti më i mirë që i qëndron sinkron me arkitekturën e Qendrës Historike të qytetit ku ndodhen edhe tre institucione të tjera muzeore, ai i Muzeut të Pavarësisë Kombëtare, Muzeu Historik dhe ai Etnografik.
“Ky muze tregon mishërimin e një miqësie e historive njerëzore të shqiptareve dhe hebrenjve, historinë e një miqësie që ka lindur shumë vite më parë, atëherë kur ndërtoheshin kisha, xhami e sinagoga së bashku por që u përjetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore në atë që shqiptarët bënin më së miri, të ndanin shtëpinë e tyre të vogël, por të mbushur me shumë dashuri”, ishin fjalët hyrëse të ministres së Kulturës, Elva Margariti.
Prezantimi i projektit u shoqërua edhe nga kryeministri Rama. “Është një nga gjërat më të munguara në gjithë hapësirën e territorit të vendit tonë një muze i një historie e të jashtëzakonshme dhe mbase i një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve, që është historia e shpëtimit të hebrenjve për të cilën në këtë vend nuk ka asnjë adresë akoma. Jam realisht i kënaqur që sot hedhim një tjetër hap drejt krijimit të adresës së parë të kësaj historie, një muze hebraik në Vlorë ku ka pasur një komunitet të rëndësishëm hebre dhe ku është mundësia të ngrihet një strukturë e tillë në lagjen ku ishte i përqendruar komuniteti hebre i Vlorës”, ishin fjalët e kreut të ekzekutivit.

Për Michael Granoff, kryetari i AADF, “nëse ka një mësim që mund të marrim nga ajo që ka ndodhur në Shqipëri, në Luftën e Dytë Botërore dhe lidhur me besën, shembulli është se çfarë mund të ndodhë sot në botë dhe mjafton të lexoni gazetën për të parë se çfarë nuk po ndodh në botë sot. Ky muze ka mundësinë dhe potencialin të jetë simbol që mund të bëjë krenar njerëz në të gjithë botën. Është një shembull që shqiptarët jo vetëm të mësojnë diçka për historinë e tyre, por edhe diçka që ta kenë krenari dhe mundësi që njerëzit të vizitojnë Shqipërinë dhe të mësojnë diçka mbi trashëgiminë kulturore të këtij vendi që mbase nuk e dinin se ekzistonte”.
Kryeministri këtë herë u shfaq në krah të ministres së Kulturës dhe kreut të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim që mbështetet ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë, por që njëkohësisht po përflitet edhe për çështjen e javës, atë të menaxhimit të Butrintit.
Rama nuk e ka kursyer ironinë, ndërsa i shprehu Michael Granoff, se më në fund edhe ai u emërua si i korruptuar. “Meqenëse kjo puna e Butrintit doli fuqishëm dhe doja t’i bëja një urim Michel Granovit sepse është edhe shqiptar e më në fund u emërua i korruptuar. Doja t’i bëja një urim publik, më në fund u pagëzua si i korruptuar, kisha shumë kohë që mezi prisja ta merrte dhe ky këtë post, u përlyr me këtë ujin e baltës. Mirë se erdhe në grupin e të inkriminuarve.” (A2 Televizion)