Takohen Putin dhe Vuçiç: Qëndrimi i Rusisë për Kosovën nuk ka ndryshuar

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2021, 16:55 | Bota
Takohen Putin dhe Vuçiç: Qëndrimi i Rusisë për

Takimi nisi me një përqafim. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i rezervoi një pritje të ngrohtë në rezidencën e tij luksoze në Soçi, homologut serb, Aleksandër Vuçiç.

Përballë njëri-tjetrit diskutuan për një sërë çështjesh politike dhe ekonomike, përfshirë Kosovën. Megjithatë, qëndrimi rus për pavarësinë nuk ka ndryshuar.

“Sa i përket përpjekjeve dhe hapave tona të përbashkëta në skenën ndërkombëtare, madje edhe në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ju e dini se qëndrimi ynë është parimor. Nuk i nënshtrohet situatës aktuale politike. Ne mbështesim qëndrimin tuaj për çështjen e Kosovës”, u shpreh presidenti Putin.

Presidenti serb nuk doli duarbosh nga takimi që zgjati më shumë nga se parashikohej, mbi 3 orë. Mori garanci për armë të reja ruse, bashkëpunimin ushtarako-teknik, por edhe për një marrëveshje për blerjen e gazit me një çmim më të ulët se vendet e tjera.

“Ju jemi mirënjohës për dhuratat e bukura që morëm. Mendoj se do të kemi marrëveshje të reja në sfera të ndryshme”, deklaroi Vuçiç.

Ndërsa Putin shtoi “E di se disa çështje ju shqetësojnë më së shumti. Ato lidhen me faktin që kontrata për furnizimin e Serbisë me gaz natyror po skadon. Mendoj se ne do të arrijmë një marrëveshje. Do të angazhojmë njësitë e biznesit për ta përfunduar atë dhe me siguri që do të gjejmë një vendim të pranueshëm për miqtë tanë serbë”.

Çmimi për 1 mijë metër kub gaz në bursë shkon mbi 1 mijë dollarë, ndërsa Serbia e merr të njëjtën sasi nga Rusia për vetëm 270 dollarë. Ndërkohë, ky ishte takimi i 19-ë mes Putin dhe Vuçiç, të cilët u pajtuan se marrëdhëniet mes dyja vendeve janë në nivelin më të lartë në histori. Ndër të tjera ranë dakord që presidenti rus të vizitojë Beogradin vitin e ardhshëm.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos