
Kabuli i dorëzohet talebanëve, të cilët bëhen gati të shpallin ringritjen e Emirateve Islamike, siç do t’i quajnë territoret tashmë nën kontroll. Kryeqyteti është përfshirë nga kaosi ndërsa turma të dëshpëruara njerëzish janë dyndur drejt aeroportit për t’u larguar nga vendi.
Trupat e Shteteve të Bashkuara kanë siguruar zonën e aeroportit dhe po ndihmojnë në evakuimin e shtetasve amerikanë dhe stafin e forcave aleate. Rreth 6000 mijë ushtarë amerikanë janë pozicionuar në aeroport, ku u evakuua i gjithë personeli i ambasadës së SHBA. Bashkë me ta, do të largohem edhe shtetas afganë, të cilët Uashingtoni i konsideron si vulnerabël. Megjithatë shumica e fluturimeve komerciale janë pezulluar, duke lënë të bllokuar qindra afganë dhe shtetas të tjerë të huaj.
Talebanët shpallën fitoren pas rrëzimit të qeverisë të dielën. Presidenti Ashraf Ghani u arratis jashtë vendit. "Ne përgëzojmë të gjithë Afganistanin për fitoren, veçanërisht qytetarët e Kabulit dhe Muxhahedinët tanë. Mënyra se si arritëm deri këtu ishte e papritur, por me ndihëm e Zotit, nuk ka pasur kurrë një fitore si kjo e jona në histori. Nuk do të tregohemi arrogantë; kjo do të jetë kohë prove; do t’i shërbejmë vendit tonë, do t’i japim qetësi dhe do të bëjmë të pamundurën për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, tha në një deklaratë për mediat Mullah Baradar Akhund, zv.lider i talebanëve.
Kthimi i militantëve në pushtet i dha një fund dramatik pranisë gati 20-vjeçare të koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara. Kabuli ishte qyteti i fundit i madh në Afganistan që po rezistonte ndaj ofensivës talebane, e nisur prej disa muajsh, por e përshpejtuar gjatë ditëve të fundit teksa fitonin territore në mënyrë të pandalshme.
Grupimi islamik arriti të pushtonte vendin, pas tërheqjes së shumicës së trupave të huaj. Gjatë fundjavës presidenti amerikan Joe Biden mbrojti largimin e forcave amerikane, duke thënë se ai nuk do të justifikonte një prani të pafundme në mesin e një konflikti civil të një vendi tjetër.
Më shumë se 60 vende, përfshirë SHBA dhe Britaninë e Madhe, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku thonë se populli afgan meriton të jetojë me dinjitet e siguri dhe se rendi civil duhet të rivendoset menjëherë. Ata u kërkuan gjithashtu talebanëve që të lejojnë largimin e të gjithë atyre që duan ta bëjnë, duke i mbajtur të hapura rrugët, aeroportet dhe vendkalimet kufitare. (A2 Televizion)