
Me identifikimin e rasteve të para me COVID-19, doli në pah edhe rreziku nga të infektuarit që ndonëse shkonin në spital, nuk u tregonin mjekëve se kishin udhëtuar së fundmi në vendet e prekura.
Përveçse për njerëzit më të cilët kishin kontakte, kjo kategori u bë rrezik serioz edhe për bluzat e bardha. I tillë ishte rasti i 73-vjeçares në Durrës, viktimës së parë nga koronavirusi në Shqipëri, e cila infektoi një mjek. Për shkak të këtij rreziku, Policia e Shtetit listoi të gjithë personat që ishin futur në Rinas, portet e vendit, apo kufijtë tokësorë në javët e fundit, për t’ia vënë emrat e tyre në dispozicion mjekëve.
Por, emrat e këtyre personave, që kishin mundësi të mëdha të ishin bartës të virusit, iu vunë në dispozicion Ministrisë së Shëndetësisë pas datës 9 mars, kur u anuluan fluturimet Itali-Shqipëri dhe anasjelltas.
Kjo vonesë në koordimin, kur rreziku ishte pas portës, por edhe mungesa e sinqeritetit para mjekëve për historikun në vende të huaja, mund të përkthehet në kosto, jo vetëm tek qytetarët e infektuar, por edhe në radhët e bluzave të bardha.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka identifikuar vendbanimet e gjithë të ardhurve gjatë javëve të fundit. Përmes specialistëve të zonave, atyre u është trokitur në derë, ose kërkuar përmes telefonit vetëkarantimimi 14-ditor. Në kuadër të moslejimit të daljes së tyre, qeveria caktoi edhe një gjobë prej 5 mijë euro për ata që thyejnë karantinën. (A2 Televizion)