
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Iran u arrestua gjatë protestave në Teheran që shpërthyen pasi zyrtarët pranuan se qëlluan aksidentalisht me raketë avionin ukrainas të pasagjerëve, ku vdiqën 176 persona.
Mbretëria e Bashkuar e cilësoi arrestimin e Rob Macaire si “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.
Ambasadori britanik ishte i pranishëm në homazhin për viktimat që më pas u shndërrua në protestë. Ai u ndalua nga policia te berberi, ku kishte ndaluar për të prerë flokët pas protestës.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab tha se “arrestimi i ambasadorit në Teheran pa asnjë bazë dhe asnjë shpjegim, është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”.
“Qeveria iraniane është në një udhëkryq. Ajo mund të vazhdojë ecjen e saj drejt statusit të të përjashtuarit me gjithë izolimin politik dhe ekonomik që kjo sjell me vete, ose të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet dhe të angazhohet në një rrugë diplomatike përpara", tha ai në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij. (A2 Televizion)