
“Ne sot duhet të shpallim që do të jemi të parët që do vendosim primaret si rregull i zgjedhjes së çdo drejtuesi politik, se do të forcojmë votën e anëtarit dhe çmontojmë vulën e kryetarit. Kështu u shpreh në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar Demokrat, e cila ishte pa praninë e kryetarit Basha, Fatbardh Kadilli, për të cilin ironizoi: “Do të kisha kënaqësinë të ndodhej në sallë edhe kryetari. uroj të mos ketë pasur nevojë për gjumë, por të reflektojë”.
Kadilli theksoi se Kuvendi duhet të mandatonte një projekt politik për kryetarin që do t’i udhëheqë deri në zgjedhjet e radhës, për të shpëtuar partinë nga humbja e kryetarit.
“Duhet të vendosim rregullat që të ndajmë udhëheqjen politike nga drejtimi administrativ i partisë. Ne sot duhet të mandatonim një projekt politik me afat; të shpallnim mbështetje për kryetarin që do të na udhëheqë deri në zgjedhjet e radhës për një projekt dhe jo ta duartrokasim për mandatet e pakufizuara apo ta falënderojmë si bamirësi i partisë. Kjo për të shpëtuar partinë nga humbja e kryetarit. Të nxisim çdo demokrat e opozitar që të krijojë forumin e strukturën e vetë vepruese, të luftojë për kauzë e bindje dhe të jetë në hapësirën e demokracisë që arrijmë t’i sigurojmë.
Sipas Kadillit asnjë nga tyë sipërpërmenduara nuk u realizua sot dhe kjo e kthen kuvendin nga i jashtëzakonshëm në më pak se të zakonshëm. Ai nuk përjashtoi përgjegjësinë e demokratëve për humbjen në zgjedhje dhe bëri thirrje për kapërcim të vetvetes në funksion të qytetarëve që duan siç u shpreh ai një parti të pastër, pa njolla të së shkuarës.
“Këto sot nuk u bënë dhe kjo e kthen Kuvendin nga i jashtëzakonshëm në më pak se të zakonshëm. Nuk mund të mburremi si viktima se jemi vetë përgjegjës analiza për blerjen e votës na bën përgjegjës për vlerën e votës. Çdo gjë që bëjmë sot është shpallja e saj që bëjmë nesër. Ne duhet të jemi më shumë se vetja. Të kuvendojmë si opozitarë. Kuvendi shërben nëse kapërcejmë veten dhe jemi jo kuvendi i demokratëve, por i qytetarëve. Ata duan një parti të pastër nga çdo njollë e së shkuarës”.
Kadilli bëri thirrje për një PD të hapur dhe konkurruese për të kuvenduar mes vetes dhe për t’u kthyer qytetarëve institucionet e demokracisë. Ai apeloi gjithashtu për një parti më të madhe se kryetari për të qenë forca e parë ne vend.
“Herët a vonë të gjithë do ballafaqohemi me të shkuarën për të ndërtuar të ardhmen, për t’u ndarë nga çdo e keqe. Kjo kërkon vendosmëri për t’i qëndruar larg tundimit dhe korruptimit. Një opozitë e korruptuar është tradhtar i qytetarit. Qytetarët duhen PD të hapur, ku të kenë shpresë dhe të gjejnë veten për kauzat dhe interesat e tyre. Hapja është gatishmëri për të jetuar bashkë kur ka alternativa konkurruese. Kush punon për PD të hapur dhe konkurruese ka bekimin e qytetarëve. Po i garantuam konkurrencën partisë sonë, do t’ia garantojmë edhe qytetarëve. Qytetarët na besojnë nëse jemi të pastër dhe të bashkuar, vetëm kështu e bëjmë PD më të madhe se vetja. Ne duhet të jemi partia popullore në Shqipëri. U kërkoj delegatëve që ky është momenti kur hapim proceset tona politike, ku kuvendojmë mes vetes. T’u kthejmë qytetarëve institucionet e demokracisë, të ribëjmë ndarjen territoriale, kod të ri elektoral, kushtetutë të re dhe forcim të sistemit të drejtësisë. Ne duhet të shpallim hapur që sistemi i drejtësisë është aleati ynë në misionin për të luftuar krimin e korrupsionin. Të shpallim qartë se jemi partia e parë perëndimore. Të dëshmojmë se jemi partnerët e parë të perëndimit në këtë tokë. Të punojmë për një PD më të madhe se kryetari. Për ta bërë PD më të vërtetë atëherë do të jemi forca e parë në vend”. (A2 Televizion)