Futbolli i madh kontinental po luhet në stadiume si ato të Amsterdamit, Londrës dhe Sevijës, por lajme të mira për Shqipërinë vijnë edhe në fusha për momentin më pak prestigjioze por ku po dalin në pah talente shqiptare vërtet premtuese.
Si në rastin e stadiumit “Ricci” i Sassuolos, ku sot u luajt gjysmëfinalja e kampionatit italian U-21 midis Interit dhe Empolit. Një ndeshje emocionuese edhe pothuajse e çmendur, e fituar nga Empolit me rezultatin 3-2, pak sekonda nga përfundimi i kohës shtesë, dhe ku protagonistë ishin padyshim shqiptarët. Empoli kishte në fushë dy prej tyre, Kristjan Asllanin dhe Kleis Bozhanaj, që lanë firmën e tyre në fitore.

Asllani ishte padyshim lojtari më i rrezikshëm i Empolit, duke treguar vërtet veti alla Pirlo në goditjet standarde.
Djaloshi 19-vjeçar, i lindur në Elbasan dhe pjesë e Kombëtares U-21 e Shqipërisë, shënoi golin e barazimit 2-2 në minutën 80, duke shtangur portierin serb Stankovic, djalin e mesfushorit të njohur që me zikaltrit fitoi “Tripleten”. Gjuajtjet e tij plot “helm” shkaktuan gjatë gjithë garës probleme në mbrojtjen e Interit.

Ndërkohë goli i fitores, pak sekonda nga fundit i kohës shtesë, ishte një asist i Kleis Bozhanaj, 20-vjeçarit tjetër shqiptar të Empolit, që kishte hyrë në pjesën e parë.

Një tronditje për Interin U-21, që sipas rregullores me barazimin do të kalonte në finale, për shkak të renditjes më të mirë në sezon. Vlen të theksohet se me fanellën e Interit luante edhe kosovari Andi Hoti, që rrezikoi të shënonte me kokë.
Tashmë Asllani dhe Bozhanaj do të përpiqen të fitojnë titullin italian për të rinj kundër Atalantës, që ka fituar dy edicionet e fundit. (A2 Televizion)