
Të shumta ishin reagimet dhe mesazhet në këtë 30-vjetor të rrëzimit të komunizmit. Një prej tyre ishte edhe ai nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi. Në një postim në Facebook, Bylykbashi shkruan se është para kryqëzimit, “ose të reagoj me aq pak sa mundem, ose të jem pjesë pa emër e dhjetëvjeçarit tjetër, njësoj si ata të tre që kaluan”.
“Ky është dështim i madh! Një pjesë është dështuar pa dashje e një pjesë me qëllim. Rezultati për shqiptarin e thjeshtë është i njëjtë. Kemi faj të gjithë edhe thjesht si votues kur nuk vrasim mendjen për fuqinë e votës sonë, por mbi të gjitha faj ka politika që në këto 30 vjet, si një nomad ka veruar e kullotur nga një kullotë mandati katër vjeçar në tjetrën. Jam pjesë e kësaj politike dhe nëse nuk përpiqem të ndryshoj gjerat, faji është më i madh. Ndaj nuk jam thjesht i revoltuar në këtë 30-vjetor, por jam përpara kryqëzimit: ose të reagoj me aq pak sa mundem, ose të jem pjesë pa emër e dhjetëvjeçarit tjetër, njësoj si ata të tre që kaluan”.
Më tej, Bylykbashi komenton edhe vrasjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një i ri u qëllua nga një efektiv policie në kryeqytet. “Katër vitet që vijnë do të bëjnë ndryshimin nëse do të marrim rrugën përpjetë apo shtegun teposhtë. Ama sot, me 8 dhjetor 2020, nuk kam gjë për të festuar. Sot, në Ditën e Rinisë, një i ri humbi lirinë e jetës sepse deshi të abuzonte me lirinë për të lëvizur!” (A2 Televizion)