Tërmetet që lëkundën Bulqizën

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2021, 09:45 | Aktualitet
Tërmetet që lëkundën Bulqizën

Mëngjesi i 29 tetorit ishte i befasishëm për banorët e Bulqizës. Në harkun e 10 minutave, tre lëkundje sizmike prekën gjithë territorin e qytetit verilindor. Nga raportimet e para, dhjetëra banesa shfaqën dëmtime serioze, e shumë të tjera me dëmtime më të lehta. Më së shumti u prekën banesat e familjeve në nevojë ekonomike, të cilët në pamundësi financiare nuk e mirëmbanin si duhej strehën e tyre.

Lëkundjeve të fuqishme, nuk i kanë shpëtuar as banesat e reja apo ato të mirëmbajtura. Në disa zona, rrëshqitja e dheut ka ndihmuar edhe më tepër tërmetet të shkaktojnë dëme edhe më të mëdha.

Kanë kaluar disa ditë dhe grupet e terrenit kanë kryer verifikimet e nevojshme, duke mbajtur procesverbalet përkatëse. Mes mureve të dëmtuara ekziston ende frika për të fjetur një natë tjetër.

Grupeve të vlerësimit, i shtohen edhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, tre vite më parë. Asokohe nuk u trajtuan të gjithë banorët, për shkak të ezaurimit të fondeve.

Të dëmtuar janë afro 10 pallate, tre prej të cilëve të shpallur si të pabanueshëm. Ky është njëri prej tyre. Në këtë pallat banojnë afro 40 familje, pak prej të cilëve kanë dalë me bonus qiraje. Sipas tyre, dëmet në pallat janë shkaktuar nga punimet e kryera për hapjen e rrugës së Arbrit. Teknikët përdorën edhe eksplozivë për hapjen e segmentit, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën përreth dhe banesat aty afër.

Në prag të dimrit, banorët e prekur nga tërmeti duhet që minimalisht t’u sigurohet një strehë e përkohshme, e me shpresën se riparimi apo ndërtimi i shtëpive të reja të mos zvarritet po aq sa ato të tërmetit të 26 nëntorit 2019. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos