Autoritetet në Porto Riko shpallën gjendjen e emergjencës pas tërmetit të fortë me magnitudë 6.4 Rihter që goditi vendin në orët e para të mëngjesit të së martës.
Deri tani raportohet për 1 të vdekur, dhjetëra të lënduar si dhe qindra të pastrehë si pasojë e lëkundjeve sizmike që konsiderohen si më të fortat në 102 vitet e fundit në vend. Mbi 300 mijë persona kanë probleme me furnizimin me ujë, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur pa energji.
Shpallja e emergjencës do t’i hapë rrugë dërgimit sa më të shpejtë të ndihmave humanitare dhe guvernatori Vazques bën me dije se ka nisur kontaktet me Agjencinë Federale Amerikane të Menaxhimit të Emergjencave.
Porto Riko u godit dhe një ditë më parë nga një tërmet 5.8 Rihter, i cili shkaktoi dëme në dhjetëra ndërtesa. (A2 Televizion)