
“Edukimi, nxënia, janë si shkarpat në një zjarr dhe jo si mbushja e një ene”. Kjo shprehje e Sokratit që në kohët e lashta na bën të pyesim edhe sot. A po mësojnë nxënësit sot në bankat e shkollës për të ndezur një zjarr dijesh apo thjesht po mbushin enën, siç thotë Sokrati? Në kontekstin tonë, pra, të sigurojnë një shkollë të lartë dhe kaq. Albert Einstein, gjithashtu, ka thënë se shkolla nuk të mëson, por të mëson si të mësosh. Pra, shkolla të nxit edhe mendimin logjik edhe analitik, përveçse të mëson formulat dhe poezitë përmendësh.
Sot pati një reagim gati në grup të maturantëve pas provimit të gjuhës dhe letërsisë dhe njëzëri ata thanë se provimi ishte shumë i vështirë. Që një provim të jetë shumë i vështirë ka dy anë si medalje, ose nxënësi nuk ke qenë aq i përgatitur ose ka qenë vërtetë jashtë standardit si test dhe ky është faji i atyre që e kanë hartuar. Këto ditë, pas tre muajsh mbyllje në shtëpi, maturantët janë futur në periudhën më të ethshme të jetës së tyre, pra në provimet e maturës. Por, menjëherë pas testit të gjuhës dhe letërsisë pati shumë zëra se ky test ishte shumë abstrakt dhe gjeje shumë pyetje për të cilat, në pamje të parë, të gjitha alternativat ishin të mundshme.
Maturantët janë ata që do mbushin nesër auditorët e universiteteve dhe më pas do jenë edhe drejtuesit e jetës, ndaj edhe çështja thelbësore e të mësuarit të tyre është shumë e rëndësishme për një komb.
Për të mos e lënë krejt pa përgjigje këtë problematike që ka dalë, në A2 ishte e ftuar drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore ose me saktë, personi përgjegjës që harton testet, Rezana Vrapi, e cila u shpreh se edhe në vitet e kaluara ka pasur pretendime të tilla, por në fund nuk ka rezultuar kështu. Vrapi thekson se nuk ka pasur asnjë pyetje jashtë programit.
“Kur hartohet një test, ne kemi parasysh disa nivele dhe pyetjen ndërtohen në bazën e këtyre niveleve. Aktualisht unë nuk mund ta them sa është kjo shkallë vështirësie për sa kohë nuk kam përgjigjet e maturantëve. Nisur nga përvoja, na ka rezultuar se aq sa kemi llogaritur, aq na kanë dalë të nivelit të lartë të vështirësisë, kjo nisur nga përvoja e hartuesve të testit, të cilët e dinë shumë mirë se kush janë pyetjet që i takojnë nivelit të tretë të vështirësisë. Edhe në vitet e kaluara ka pasur shumë pretendime të tilla dhe kur është bërë analiza, nuk na ka rezultuar kështu. Ua them me bindje se nuk ka pasur pyetje jashtë programit”, u shpreh Vrapi.
Ndërkohë, Kejsi Spahiu, maturante, u shpreh se kishte një numër shumë të madh të pyetjeve që ishin me fund të hapur, që kërkonin subjektivitet.
“Kishte një numër shumë të madh të pyetjeve që ishin me fund të hapur, që kërkonin subjektivitet. Secili mund të argumentonte zgjedhjen e tij, por kjo është e vështirë për t’u bërë kur kemi një numër të caktuar alternativash dhe ne jemi të detyruar të zgjedhim një prej tyre. Edhe te pyetjet e teksteve letrare kishte pyetje që kërkonin mendim më personal. Në lidhje me programin, në lidhje me veprën e “Iliadës” së Homerit, në test ne na kërkohet se cili grup fjalësh në këtë poemë i përket Eposit Homerik. Të gjitha alternativat janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Nuk kishte përputhje me modelin. Ne ishim totalisht të papërgatitur. Në ishte premtuar publikisht që tezat, jo vetëm që mund të ishin me një nivel më të ulët, por nuk mund ta prisnim që ato do të ishin më të vështira”, u shpreh maturantja.
Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore thekson se një pjesë e madhe e testit të gjuhës shqipe ishte identik me modelin.
“Tekste të ndryshme kanë natyra të ndryshme. Teksti argumentues ka një strukturë të veçantë, teksti rrëfimtar ka një strukturë të veçantë, tre nga alternativat nuk i takojnë kësaj strukture dhe vetëm njëra është fiks në natyrën që ka fragmenti. Kjo është pyetje e thjesht e nivelit të dytë. Një pjesë e madhe e tekstit të gjuhës shqipe është identik me modelin. Ka pasur pyetje të gramatikës dhe janë identike si te modeli”.
Ndërkohë, maturantja sjell edhe shembullin se pse pyetjet ishin subjektive. “Problemi më i madh shtrohet me pjesët e gjuhës. Unë nuk jam dakord me faktin që ne ishim të papërgatitur, se si ishte teksti, se si ishte modeli. Nuk e kuptoj pse kishte aq shumë pyetje në lidhje me reklamat. Ishin pyetje subjektive. ‘Në park luajnë fëmijë. Kjo tregon që ka shumë aktivitete në park apo tregon që fëmijët duhet të shkojnë në park?’ Këto janë pyetje që ne duhet të bazohemi diku”, shprehet maturantja.
Vrapi reagon duke u shprehur se këto alternativa shërbejnë për të diferencuar nxënësit me nivele shumë të larta. “Është detyra jonë që të bëjmë alternative të tilla, të cilat diferencojnë nivele shumë të larta dhe që në Shqipëri duhet të jetë diku te 4 deri në 5%”.
Për maturanten, pyetjet subjektive mund ta penalizojnë atë drejt synimit të saj, Mjekësisë. “Jemi konsideruar vazhdimisht si brez përtac. Edhe nxënësit që kanë qenë sot në protestë janë nxënës me nivel, pasi një pjesë të tyre unë i njoh. Jo të gjithë nuk i meritojmë notat që kemi. Unë e kam mesataren 10 dhe synoj të kam Mjekësinë. Mua më penalizon Fakulteti i Mjekësisë, pasi këto pyetje, sipas mendimit tim ishin më të vështira sesa duhet të ishin. Këtë nuk e them vetëm unë, por një numër i gjerë nxënësish. Atëherë, pse duhet ta kemi problemin ne? Ndoshta e ka teza”. “Niveli i vështirësisë është i njëjtë për të gjithë. Nuk e pranoj që testi ka qenë përtej nivelit të lejuar të vështirësisë, por kjo mbetet për t’u verifikuar. Nëse e marrim hipotetikisht, që teksti ka qenë më i vështirë se sa duhet, nëse ata marrin 8 ose 9 të gjithë, sërish do të konkurrojnë me njëri tjetrin me të njëjtat pikë dhe me të njëjtën notë. Nuk ka arsye që maturantët të shqetësohen në këtë pikë. Të presim rezultatet dhe të flasim. Mbase qëndrimi i Kejsit nuk qëndron dhe ajo mund të marrë një notë shumë të lartë. Është shumë herët që ata ta paragjykojnë procesin në këtë stad”, u shpreh Vrapi. (A2 Televizion)