Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka folur përsëri me homologun rus Vladimir Putinin, pas bisedës telefonike me të të hënën e kaluar, ndërsa po priste udhëheqësit ukrainas dhe evropianë në Shtëpinë e Bardhë, shkruan A2 CNN.
"Patëm një bisedë të mirë; të gjitha bisedat tona janë të mira", theksoi ai.
Më pas ai akuzoi presidentin Zelensky si "shitësin më të madh në botë" dhe paralajmëroi se nuk do të shpenzonte më "asnjë para" për Ukrainën.
“Zelensky është një shitës i shkëlqyer, sa herë që largohet nga Shtëpia e Bardhë, merr me vete miliona dollarë. Ne nuk shpenzojmë më asnjë qindarkë për Ukrainën, ne negociojmë me NATO-n", tha Trump, duke shtuar se nuk janë diskutuar garanci specifike sigurie për Kievin, por se SHBA-të do të jenë në dispozicion për të ndihmuar, përcjell A2 CNN.
Këto deklarata vijnë vetëm disa orë më pasi, Zelensky debatoi sërish me nënpresidentin e SHBA-së J.D. Vance, njeriun që kishte shkaktuar grindjen e famshme në Zyrën Ovale më 28 shkurt dhe i cili të dielën pranoi se presidenti rus i kishte bërë lëshime të rëndësishme.
“Për herë të parë në tre vjet e gjysmë konflikti, Rusia ishte treguar shumë fleksibile në disa nga kërkesat e saj themelore", tha Vance.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se nuk sheh ndonjë lëshim nga Moska në bisedimet e paqes.
"Sa i përket lëshimeve të Rusisë, unë nuk di asgjë rreth tyre. Nuk mendoj se ajo që tha pala ruse, domethënë se ata janë të gatshëm të ndalojnë pushtimin e Ukrainës, janë lëshime. Nuk mendoj se fakti që ata po ofrojnë të tërhiqen nga territoret që Rusia nuk i kontrollon është një lëshim. Sepse ishin Shtetet e Bashkuara që propozuan, mbaj mend, një armëpushim më 7 mars. Ne e mbështetëm atë," tha ai. (A2 Televizion)