Tetori i librit, muaji ku lexohet më shumë në vendin tonë

Nga A2 CNN
20 Tetor 2019, 12:27 | Kulturë
Tetori i librit, muaji ku lexohet më shumë në vendin tonë

Çdo tetor nis në vendin tonë një fushatë sensibilizimi për të lexuar. A është ky një aksion që i paraprin Panairit të Librit, a kemi më shumë autorë që promovojnë tituj të rinj dhe cilët janë ato? I zbulojmë këtë fundjavë në A2 përmes reportazhit të gazetares Luela Myftari.

Dhe kështu nisi edhe ky tetor. Përveç fushatës rozë kundër kancerit të gjirit, ky është muaji ku lexohet më shumë në vendin tonë. Vitin e shkuar në tetor kishim edhe një lëvizje kombëtare për lexim, ku një furgon shëtiste në rrethe për t’u angazhuar me fëmijët e shkollave, këtë vit do të mund të mjaftohemi me Tiranën.

Këtë tetor takohemi për një libër, por edhe takohuni me një libër. Lëvizjen e gjejmë rrugëve, me artistë dhe personazhe publikë që dhurojnë, gjejnë dhe lexojnë libra. Nominimet janë trendi i radhës. Të shumtë kanë qenë personazhet që i janë bashkuar nismës, që duket më joshëse për të rinjtë dhe fëmijët, pikërisht si një thirrje drejtuar atyre.

Por, këtë kohë edhe promovimet nisin të jehojnë ndryshe. Shumica e shtëpive botuese zgjedhin lokalet që presin gjatë gjithë vitit miqtë më të mirë të librit. 

Tetori i librit në Shqipëri i paraprin edhe panairit të nëntorit. Ka qenë kështu prej një dekade. Mos ndoshta jehona dhe iniciativat e këtij misioni vlejnë për më shumë shitje? Këtë nuk dinë ta thonë as autorët që gjatë gjithë vitit punojnë që librat e tyre t’i botojnë gjatë tetorit, a thua se nuk do të lexohen në shkurt apo mars. Pse-në nuk dine ta japin as botuesit që në nëntor nxjerrin më shumë tituj se gjatë një stine dhe as ne që duam t’ju rrëfejmë titujt më të rinj të librave.

Nëse do të shohim kur publikojnë veprat e tyre politikanët, analistët apo publicistët mos u çudisni që kjo periudhë është më e mira. Askush nuk i shpëton dot dëshirës për të shitur në panair sepse nëse vepra blihet do të dhurohet, do të lexohet, do të përflitet. Dhe këtë e duan të gjithë. 

Një nga titujt e rinj këtë tetor është edhe ai i Grida Dumës. Koha për politikë është një thirrje më pak artistike, por që na fton të bëhemi më të informuar. Një libër do të na ndriçojë për diçka, lexoni çfarëdo që ju bie në dorë, do të shkruante Umberto Eco.

Groucho Marx ka thënë vite e vite më parë: “E shoh televizionin si shumë edukativ. Çdo herë që e ndez, shoh e shoh e pastaj shkoj tek dhoma tjetër dhe lexoj një libër”.

Këtë tetor me siguri keni diçka për të lexuar, ndaj lexoni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos