Thellohet përçarja, opozita ndahet edhe në komisionin e reformës zgjedhore

Nga A2 CNN
31 Tetor 2022, 15:11 | Politikë
Thellohet përçarja, opozita ndahet edhe në komisionin e

Bashkimi i opozitës kur kanë mbetur pak muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit, duket një mision gjithmonë e më i vështirë. Përçarja e kampit opozitar duket se kaloi në një tjetër nivel në procesin më të rëndësishëm para elektoral, atë të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.

Mbledhja e komisioni parashikonte prezantimin e disa ndryshimeve në Kodin Zgjedhor sa i takon organizimit të zgjedhjeve, një iniciativë e ekspertit të maxhorancës dhe atij të Enkelejd Alibeajt, për të cilët pjesa tjetër e opozitës kërkoi kohë për tu njohur me materialet me argumentin se ishin vënë në dijeni pak përpara fillimit të mbledhjes.

Përfaqësuesi i Sali Berishës në Komision, Oerd Bylykbashi u shpreh se këto ndryshime janë delikate për momentin në të cilën po diskutohet. “Po cenoni standardin e zgjedhjeve vendore. Jemi pesë muaj e gjysmë para zgjedhjeve”, tha Oerd Bylykbashi. “Nëse doni nuk i miratojmë fare shkojmë në zgjedhje siç jeni. Ne jemi komod”, iu përgjigj Gjikunri.

Këtë rehati maxhorancës, për disa përfaqësues të opozitës në komision, duket se ia shton qëndrimet e Enkelejd Alibeajt, i cili mori edhe kritika direkte për mënyrën se si bashkëdrejton komisionin. “Ti aty je përfaqësues i opozitës, duhet të unifikojmë qëndrimet”, i tha Fatmir Mediu. “Ne kemi të përbashkët kundërshtinë ndaj maxhorancës. Janë këta që vjedhin zgjedhjet...”, tha Alibeaj.

Fjalët e Alibeajt nuk pajtuan gjakrat pasi vendimi i tij ishte tjetër nga kërkesa e kolegëve në sallë duke ngulmuar në vijimin e mbledhjes sipas rendit të ditës, gjë që tregoi jo vetëm me zë por edhe me figurë ndarjen e opozitës. Nga salla nuk u larguan vetëm deputetët por edhe ekspertët e opozitës që nuk përfaqësonin Enkelejd Alibeajn, duke vijuar mbledhjen pa praninë e pjesës tjetër të minorancës. Në fund komisioni ra dakord që dy iniciativat t’i diskutojë të mërkurën. (A2 Televizion)

https://a2news.com/video/reforma-territoriale-ps-e-pd-shkojne-ne-parlament-pa-dakordesi/

A2 CNN Livestream

Latest Videos