Thirrja e dëshmitarit të luftës në Ukrainë: Na ndihmoni me medikamente dhe ushqime

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2022, 08:05 | Bota
Thirrja e dëshmitarit të luftës në Ukrainë: Na ndihmoni

Nga Kievi studenti Denys Ganzha, apeloi në A2 CNN për medikamente dhe ushqime, ndërsa luftimet në Ukrainë vazhdojnë.

“Ditët e para ishte e vështirë, por shumë biznese kanë hapur kuzhinat e tyre dhe i kanë vënë në dispozicion të ushtrisë. Disa gjëra janë të nevojshme. Nëse mund të ndihmoni Ukrainën me medikamente, veshje dhe ushqime, ju lutem dërgojini!”

Në studion e "Dita jonë", ai u bëri thirrje ndërkombëtarëve që ndihma të vijë në kohën e duhur dhe apeloi për të mos bashkëpunuar me asnjë nga bizneset rus.

“Ajo që them unë është që Putin nuk ka për të ndaluar dhe sa të shkatërrojmë ekonominë e tyre nuk do të ndalemi. Është vështirë të thuash nëse do të jetë një luftë e gjatë, por mos bashkëpunoni me asnjë biznes rus dhe kjo është në favor të Ukrainës. Nëse ndihmoni, ndihmoni më shpejt, është e nevojshme që ndihma të vijë në kohën e duhur ndaj Ukrainës”.

Si një delegat rinor në OKB nga Ukraina, Ganzha ka dëshmuar situatën më të fundit në Ukrainë të cilën e përshkroi si një ndër rezistencat më të forta në botë.

“Është një ndër rezistencat më të forta në botë. Kur ka alarme, njerëzit shkojnë në vendstrehim, forcat e mbrojtjes kanë treguar heroizëm. Ka qenë një tjetër natë rezistence. Çdokush është i përgatitur”.

I pyetur se çfarë pret nga takimi i sotëm në Bjellorusi, Ganzha thekson se Ukraina nuk do të lëshojë asnjë cm territor dhe u shpreh i bindur në rezistencën e vendit të tij.

“Ukraina nuk do të japë asnjë cm të territorit të saj. Kjo është ajo që presim nga takimi i sotëm dhe kjo është arsyeja pse ne do të luftojmë. Të jeni të sigurt që Ukraina do të rezistojë, ne nuk po mbrojmë vetëm vendin tonë, por edhe Evropën Perëndimore. Po ne jemi gati të vdesim për vendin tonë”.

Për refuzimin e presidenti Zeleknsky për t’u larguar nga vendi ai tha: “Kemi një batutë; nuk ka një helikopter aq të madh sa të nxërë kurajon e Zelenskyt. Të gjithë janë duke e mbështetur Zelensky-n dhe administratën e Kievit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos