Serbia pas zgjedhjeve, çfarë ndryshon për Kosovën dhe Luginën e Preshevës?

Nga Erjon Dervishi
27 Tetor 2026, 18:03 | Aktualitet

Zgjedhjet parlamentare në Serbi kanë sjellë një kthesë të rëndësishme politike, me listën studentore që, sipas rezultateve preliminare, ka fituar shumicën e vendeve në Kuvend, përballë listës së udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç.

Vëmendja tashmë është te drejtimi që do të marrë Serbia dhe te ndikimi që mund të ketë ky ndryshim në raportet me Kosovën.

Por, çfarë nënkupton ky rezultat për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe a pritet ndryshim në qasjen e Beogradit ndaj Kosovës?

Analisti politik Arbnor Sadiku e vlerëson fitoren e listës studentore si një zhvillim pozitiv për demokracinë në rajon. Sipas tij, ky rezultat mund të krijojë mundësi të reja për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe një mundësi për perëndimin dhe Kosovën që vërtetë të zgjidhen çështje të mbetura peng nga e kaluara, veçanërisht statusi që Serbia e ka mohuar dhe nuk e ka pranuar shtetin e Kosovës. Kjo do të ishte një lajm sensacional po të ndodhte, por kam përshtypjen që mbetet të shihet në të ardhmen”.

Sadiku e konsideron të rëndësishme edhe çështjen e udhëheqjes së ardhshme të Serbisë, duke theksuar se orientimi i qeverisë së re do të jetë vendimtar për të kuptuar nëse do të ketë ndryshime në raport me Kosovën.

“Demokratizimi i Serbisë nuk varet vetëm nga një listë studentore. Varet nga historiografia e tyre e cila është pothuajse tërësisht false dhe nacionaliste, fashiste veçanërisht  ndaj shqiptarëve popujve të tjerë si boshnjakët e kroatët”.

Në anën tjetër ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi thotë se zgjedhjet e fundit në Serbi janë rezultat historik në dy dekadat e fundit, me theks të veçantë për Luginën e Preshevës.

“Kjo është një fitore e madhe në Luginën e Preshevës, që ka tregu se ka forcë e votues. Pavarësisht situatws….Kjo për Kosovën shihet prej një perspektive të demokratizimit të Serbisë dhe do të shihet se a do të dekosovarizohet politika në raport me Kosovën, a do të krijojnë parakushte për të cilat Lista Studentore ka dalë për ndryshimin e Qeverisë dhe jo ndryshimet kushtetuese. Por është një shancë që Serbia të normalizohet edhe si shoqëri edhe si institucione, e si shtet”.

Mustafi thotë se edhe tash me dy deputetë shqiptar, presin të akomodohen brenda sistemit në Serbi  e qasja ndaj shqiptarëve të ndryshojë në aspektin pozitiv.

“Presim që qasja armiqësore të ndërpritet, albanofobia të ndërpritet dhe të krijohet një hapwsirë më e madhe që i inkurajon edhe liritë individuale”.

Mbetet të shihet nëse ndryshimet politike në Serbi do të sjellin një qasje të re ndaj Kosovës dhe përmirësim të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos