Tifozët polakë e anglezë përleshen në stadium, ndeshja e Europa League kthehet në “luftë”

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2021, 10:53 | Futboll

Ndeshja e mbrëmjes së djeshme mes Leicester dhe Legias së Varshavës, e vlefshme për fazën e grupeve të Europa League, ka treguar dhe një herë tjetër se sa problematikë janë tifozët anglezë dhe ata polakë.

Në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 3-1 për vendasit e Leicester, tifozët e të dyja ekipeve nisën të përleshen me njëri-tjetrin dhe policinë, duke shfaqur skena të turpshme.

Përgjatë 10 minutave, forcat e rendit luftuan me tifozët, derisa u vendos sërish qetësia.

Tashmë, klubet presin dënimet përkatëse nga UEFA.

Kjo nuk është hera e parë që tifozët polakë shfaqin sjellje agresive nëpër transferta. Edhe në ndeshjen Shqipëri-Poloni pati incidente, me Federatën Shqiptare të Futbollit që reagoi duke thënë se “ngjarjet janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm, dhe një sjelljeje shumë agresive nga ana e tifozëve polakë që kanë goditur për gati 2 orë tifozët tanë në dy tribuna”.

Nuk mbeten pas tifozët anglezë, të cilët në finalen e Evropianit që u luajt në Wembley, i treguan botës skena të turpshme si brenda, ashtu edhe në rrethinat e stadiumit, para, gjatë dhe pas ndeshjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos