Vladimir Zhoga, udhëheqësi i grupit paramilitar të rebelëve pro rusë, “Sparta”, është vrarë nga ushtria ukrainase gjatë luftimeve të së shtunës në qytetin lindor të Ukrainës Volnovakha.
Lajmi është konfirmuar edhe nga lideri i separatistëve në Donetsk, Denis Pushilin. “Komandanti i batalionit të veçantë të zbulimit Sparta, koloneli i Gardës Vladimir Zhoga, vdiq si një hero në Volnovakha”, shkroi ai.
Sipas Pushilinit, komandanti i batalionit “Sparta” është vrarë gjatë një operacioni për evakuimin e civilëve nga Volnovakha, një nga qytetet ku rusët e shkelën marrëveshjen e armëpushimit ditën e shtunë.
Zhoga iu bashkua rebelëve të mbështetur nga Rusia në vitin 2014, kur u krijua Batalioni “Sparta”, një milici që e ka mbështetjen e Moskës. Batalioni ka kryer një valë sulmesh vdekjeprurëse kundër trupave ukrainase dhe ka marrë pjesë në luftën e zhvilluar në rajonin e Donbassit, që nga shpërthimi i saj, tetë vjet më parë. (A2 Televizion)