
Shqipëria ka ndërprerë transportin ajror dhe detar të njerëzve me Italinë, partnerin kryesor tregtar, pas përhapjes së koronavirusit edhe në vendin tonë. Masa të tjera shtesë janë marrë sot nga qeveria, siç është mbyllja e palestrave, klubeve të natës, pishinave, qendrave kulturore e sportive etj.
Një situatë që do të ketë padyshim ndikim edhe tek ekonomia, sipërmarrja dhe të punësuarit.
Në “A2 Business Week” ishin të ftuar për të diskutuar për këtë temë Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Arben Shkodra, sekretari i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.
“Italia ka qenë gjithmonë partneri kryesor dhe vazhdon të jetë. Ka nisur të ndihet lehtë ndikimi që do të japë në ekonominë shqiptare, pasi tashmë Italia është e gjitha zonë e kuqe. Ka një çrregullim edhe të transportit ndërkombëtar në përgjithësi në të gjithë planetin, duke filluar nga Kina. Shpresoj që Italia ta përmbajë problemin, por në afatshkurtër do të japë efekte. Fasonët i kanë të dyfishta problemet në këtë situatë”, tha Shkodra.
Ndërsa Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, u shpreh se “pas tërmetit, koronavirusi ishte një KO për industrinë turistike”.
“Ka sjellë një “blackout” total për industrinë. Jemi plotësisht dakord me masat që ka marrë qeveria, por problemi është se kjo industri mbështetet vetëm te njerëzit që vijnë dhe janë rreth 60 mijë punonjës të cilëve u rrezikohet punësimi. Ne nuk kemi pse të shpikim rrotën, Italia ka marrë masa drastike për të mbështetur industritë që pësojnë goditje. Ne jemi munduar në një takim që t’i kërkojmë këto masa si lehtësimi nga taksat dhe tatimet për 3-6 muaj, subvencionimi i sigurimeve shoqërore për punonjësit dhe ristrukturimi i kredive deri në një vit. Masa që janë pothuajse të njëjta me ato që ka marrë Italia javën e fundit”, theksoi Topuzi.
Ministrja Balluku u përgjigj se për momentin “jemi në fillim të përballjes me koronavirusin” dhe se kemi të bëjmë me “një fenomen global”.
“Ekonomia dhe tregtia do të ndikohen, në mënyrë proporcionale. Fasonët nuk po ndikohen vetëm nga masat e qeverisë, por fillimisht ndikohen nga shteti fqinj që është klienti ynë më i madh. Virusin nuk po e përballon dot asnjë shtet deri tani. Puna e parë e qeverisë, bizneseve dhe qytetarëve është që virusi të mos ketë përhapje të gjerë. Qeveria ka krijuar eksperiencë të jashtëzakonshme për trajtimin e emergjencave”, tha Balluku.
Ministrja premtoi se “nuk do të mbyllen shërbimet bazike”.
“Plani i masave do të pasurohet çdo ditë, duhet mirëkuptim. Do të ketë edhe gjoba të personave që do të thyejnë rregullat”, theksoi Balluku.
Topuzi këmbënguli se kërkesa e operatorëve turistikë “është që të shtyhen taksat dhe tatimet për një periudhë 3-6 muaj”; “Në bazë të situatës, masat mund të ndryshojnë. Që sot, një pjesë e mirë e hoteleve janë mbyllur dhe përveç punëtorëve që lënë pa punë, hotelet janë konsumatorët kryesorë të frutave, perimeve dhe ujit. Qeveria duhet të marrë masa urgjente, siç po zbaton planin italian. Qeveria duhet të thithë nga fondet e FMN-së që i ka alokuar për vendet që janë prekur nga koronavirusi”.
Ministrja Balluku u përgjigj duke thënë se turizmi do të hyjë në masat ekonomike, por, sipas saj, çdo shtet ka mundësitë e veta financiare dhe nuk mund të kopjohen vendimet e qeverive të tjera.
“Në masat ekonomike që do të merren për përballimin e kësaj situate, pjesë është edhe turizmi. Ministrja Denaj do të ketë takime për të gjetur zgjidhje, por në këto momente jemi të përqendruar për të parandaluar përhapjen e virusit. Çdo shtet ka mundësitë e veta financiare dhe nuk mund të bëhet copy-paste as shifrave dhe as procedurave. Nuk mund të marrim vendimet e qeverisë italiane, që prioritet patën edhe ata shëndetin. Jeta e qytetarëve është më e rëndësishmja dhe më pas do të mendojmë t’i japim zgjidhje gjithçkaje tjetër”, theksoi Balluku. (A2 Televizion)