VIDEO/ Deklarata e fortë e Belind Këlliçit: Ja pse Edi Rama përbën rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA

Nga A2 CNN
17 Korrik 2025, 22:07 | Politikë

Belind Këlliçi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Tiranë, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë në emisionin Debat me Alba Alishanin në A2 CNN, Këlliçi i referohet zhvillimeve të fundit mes SHBA-së dhe drejtësisë shqiptare, për të përforcuar akuzat e tij.

“Javën e kaluar, e ngarkuara me punë e SHBA-së dorëzoi një letër në SPAK ku kërkohej intensifikimi i luftës kundër karteleve të drogës, të njëjtave që presidenti Trump i ka shpallur organizata terroriste,” tha Këlliçi.

Ai theksoi se vetë kjo kërkesë është një tregues se autoritetet shqiptare po dështojnë në përballjen me këtë fenomen. Sipas tij, Shqipëria është kthyer në një qendër të trafikut ndërkombëtar të drogës, dhe porti i Durrësit është bërë një pikë strategjike për qarkullimin e kokainës në Europë.

“Në katër vitet e fundit nuk është kapur asnjë kilogram kokainë në portin e Durrësit. Rama ka kthyer Shqipërinë në një Pazar të gjësë së gjallë dhe në një narkoshtet, siç e kanë cilësuar edhe media të mëdha ndërkombëtare,” deklaroi ai.

Këlliçi përmendi gjithashtu edhe skandalin me ish-agjentin e FBI-së në Nju-Jork, të cilin Rama sipas tij e ka korruptuar, duke shtuar: “Një kryeministër që ka marrëdhënie me kartelet dhe që korrupton agjentë të lartë të zbulimit amerikan, përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos