Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është diagnostikuar me një sëmundje kronike të venave, njoftoi të enjten Shtëpia e Bardhë, pas ditësh spekulimesh për shkak të fotografive që tregonin mavijosje në dorën e tij.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se presidenti kishte përjetuar ënjtje të këmbëve dhe iu nënshtrua një “kontrolli të plotë”, përfshirë një analizë vaskulare.
Sipas Leavitt, mavijosja në dorë lidhet me "dëmtime të indeve nga shtrëngimi i shpeshtë i duarve", ndërkohë që Trump përdor aspirinë si pjesë e një trajtimi parandalues për shëndetin kardiovaskular, shkruan A2 CNN.
Diagnoza e bërë është insuficiencë kronike venoze, një gjendje ku venat e këmbëve nuk arrijnë të dërgojnë gjakun në zemër, duke shkaktuar grumbullim të tij në gjymtyrët e poshtme, gjë që sjell ënjtje.
Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Barbabella, theksoi se kjo është një gjendje “e zakonshme dhe e padëmshme”, veçanërisht tek të moshuarit mbi 70 vjeç. Ai konfirmoi se nuk ka shenja për trombozë të thellë ose sëmundje arteriale, dhe se rezultatet ishin “brenda kufijve normalë”. (A2 Televizion)